Sporti

Thaqi: Rikthimi i Gliha është i gabuar, Kosovës i duhet një trajner me autoritet

07/04/2023 17:33
nga:Mergim Rreci

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar për çështje të ndryshme me rëndësi për futbollin kosovar si dhe për ecurinë e përgatitjeve për edicionin e ri të garave.

Në këtë mbledhje ndër çështjet kryesore që u diskutuan ishte zgjedhja e ekipit të trajnerëve që do ta drejtojnë Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet e mbetura të ciklit kualifikues për Euro 2024.

Kësisoj, KE i FFK-së vendosi që në krye të shtabit teknik të emërohet Primozh Gliha, derisa atij do t’i ndihmojnë Afrim Tovërlani, Arbnor Morina, Ahmet Beselica dhe Thomas Richards.

Trajneri i njohur kosovar, Arsim Thaqi tha se rikthimi i Primoz Gliha nuk është i duhuri dhe se koha e eksperimenteve ka përfunduar.

“Mendoj se është një vendim i gabuar, Kosova dhe këta lojtarë që ka Kosova meritojnë një trajner me autoritet, profesionist dhe që e ngre nivelin e kombëtares atje ku e ka vendin dhe ku e meriton kombëtarja jonë. Ka përfunduar koha e eksperimenteve me trajnerë në kombëtaren “A””, tha Thaqi.

Tutje, Thaqi tha se Kosovës i duhet një trajner që do të bënte autoritet, poashtu një trajner që do të provonte kualifikimin edhe me ndeshjet e mbetura.

“Kombëtarës nuk i duhej një trajner i përkohshëm për të përfunduar këto kualifikime, por një trajner që ka përvojën për të provuar kualifikimin edhe me këto ndeshje të mbetura dhe pastaj për të ndryshuar shumë gjëra për të ardhmen. Unë gjithmonë bazohem në nivelin e lojtarëve që ka Kosova. Vetëm fjala trajner i përkohshëm flet vet, nëse është e vërtetë se e ka këtë epitet, lojtarët nuk e marrin seriozisht“, përfundoi Thaqi.

/GazetaBlic Sport/