Armend Thaqi një nga emrat e lojtarëve me eksperiencën më të madhe në futbollin kosovar.
Thaqi u rikthye në Superligën e Kosovës te klubi i Gjilanit pas një aventure të shkurtër me Cluj në Rumani, shkruan GazetaBlic Sport.
Tashmë lojtari i Gjilanit po vazhdon me paraqitjet e mira në futbollin kosovar aty ku dje u luajt derbi i Anamoravës mes Gjilanit dhe Dritës ku u përmbyll me shifra të barabarta 1-1.
Autori i golit të Gjilanit ishte pikërisht Thaqi i cili ishte i pa gabueshëm nga penalltia.
Thaqi për GazetaBlic Sport ka përshkruar eksperiencën e tij te Cluj dhe rikthimin te Gjilani duke thënë se derbi i këtij qyteti ka peshë më të madhe se çdo ndeshje tjetër në ligën elitare të Kosovës.
“Një eksperiencë që e filluam shumë mirë, por ndodhën disa gjëra që nuk doja t’i përmendja, sepse nuk mund të kthejmë asgjë mbrapa. Dallimi i madh është te kushtet e punës dhe infrastruktura ku zhvillohen stërvitjet dhe ndeshjet, dhe kjo mendoj se është dallimi kryesor me vendin tonë.
U riktheva në Gjilani pas 6 vitesh, dhe Zoti deshi që në ndeshjen derbi të shënoj gol, gjë që ka shumë vlerë, para së gjithash për ekipin, sepse ekipi ka zhvilluar dhe po zhvillon ndeshje shumë të mira, dhe ngadalë ka ardhur koha të marrim frytet e asaj pune që po bëhet. Natyrisht, kam përjetuar edhe më herët derbin, i cili ka qenë shumë më i flakët dhe dallon nga ndeshjet e tjera për shkak të rivalitetit të madh, jo vetëm në fushë, por edhe mes familjeve në qytetin e Gjilanit.
Një start shumë i vështirë, sepse ekipi nuk ka marrë atë që ka dhënë në fushë, dhe jam i sigurt se ka merituar më shumë. Por, ndodh që ndonjëherë nuk arrin rezultat edhe kur e bën punën. Jemi shumë të vetëdijshëm që ekipi ngadalë po merr formë dhe po mbledh pikë, dhe shpresojmë të vazhdojmë me një seri të mirë”, tha Thaqi për GazetaBlic Sport.