Ditën e djeshme Rosario Central zyrtarizoi trajnerin e ri, Carlitos Tevez.
‘Apache’, ish-sulmuesi i Juventusit dhe Boca Juniors, foli për stilin e tij dhe tregoi se frymëzohet nga trajneri i njohur, Antonio Conte, përcjell GazetaBlic Sport.
“Unë kam pasur shumë oferta nga shumë klube, por Rosario e ka atë plus tek tifozët që do të thotë se nëse i bëjmë gjërat mirë, mund të bëjmë shumë zhurmë dhe shumë histori. Kjo është arsyeja pse kam besim të plotë se unë dhe grupi im mund të bëjmë diçka të mirë këtu, jam i lumtur dhe i vendosur për përvojën time të parë si trajner”, tha fillimisht Tevez.
“Unë u besoj shumë këtyre lojtarëve dhe nuk kam kërkuar ende përforcime. Dua të shoh djemtë në fillim dhe dua që ata të më tregojnë se duan të luajnë në Rosario Central. Do të shohim se cilin pozicion duhet të përforcohemi. Kushdo që dëshiron të luajë këtu duhet ta dëshmojë këtë në çdo seancë stërvitore, në çdo ndeshje. Ky klub është një gjigant i fjetur, duhet të zgjohet”.
Kush e frymëzon Tevezin? “Conte është modeli im, më mësoi shumë te Juventusi. Do të mundohem ta lë skuadrën të luajë pak, qoftë edhe gjysmën e asaj se si luan skuadra e Contes, me vendosmëri, dëshirë për të fituar, pa u dorëzuar kurrë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


