Lajme

Tetë vite burg për gazetaren ruse që protestoi ”live”

10/04/2023 18:33
nga:Y I

Një gjykatë në Moskë dënoi në mungesë me 8 vite e gjysmë burg, gazetaren Marina Ovsjannikova.

45-vjeçarja u bë e njohur për publikun pasi protestoi në një edicion të drejtpërdrejtë të lajmeve në televizionin shtetëror kundër luftës ruse në Ukrainë.

Ajo u shpall fajtore për “përhapje të lajmeve të rreme” për ushtrinë ruse. Ovsjanikova u arratis vitin e kaluar nga Rusia së bashku me të bijën, duke shkelur edhe arrestin shtëpiak. Vetë gazetarja i konsideron akuzat ndaj saj si “absurde”.

Një ligj i miratuar nga parlamenti rus e konsideron “vepër penale” përshkrimin si luftë apo pushtim, atë që Moska e konsideron si operacion special ushtarak për të çmilitarizuar Ukrainën, të nisur në Shkurt të vitit të kaluar.

Miratimi i këtij ligji ka dënuar me masa të ndryshme nga gjobat deri tek burgu dhjetëra persona në Rusia që e kanë quajtur “luftë” sulmin rus në Ukrainë. Në Perëndim, ky ligj shihet si një përpjekje e Vladimir Putinit për të shtypur opozitën.