Tetë senatorët amerikanë, Jeannee Shaheen, Christopher S. Murphy, Chris Van Hollen, Benjamin L. Cardin, Pete Ricketts, Thom Thillis, Peter Welch dhe Richard J. Durbin, ia kanë dërguar një letër presidentit të ShBA-së, Joe Biden, pas zhvillemeve në Kosovë.
Ata ia kanë shprehur Bidenit shqetësimin e tyre për situatën në veri, ku theksohet dhuna dhe sulmet e serbëve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Në letër thuhet se ata janë të brengosur për vendimet nga Qeveria e Kosovës dhe Serbisë për të vazhduar eskalimin e tensioneve “në vend të zvogëlimit të tyre”.
Ata thonë se vlerësojnë përpjekjet diplomatike të ShBA-së për ta zvogëluar krizën në Kovë, por thotë se këto përpjekje nuk kanë qenë reciproke nga Kosova.
Prandaj, ata thanë se janë të gatshëm të marrin në konsideratë ndryshimin e mbështetjes së Kongresit, transmeton Paparaci.
“Zoti President Biden, ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të sinqertë lidhur me situatën e rënduar në veri të Kosovës, ku dhuna e fundit serbe kundër Forcës së Kosovës të NATO-s (KFOR) në veri të Kosovës ka lënduar afërsisht 40 ushtarë paqeruajtës të NATO-s. Pas këtyre sulmeve, jemi të shqetësuar për vendimet e marrë nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që vazhdojnë të eskalojnë tensionet në vend të zvogëlimit të tyre. Jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e vazhdueshme të afërsisht 600 ushtarëve amerikanë që shërbejnë brenda KFOR-it. Vlerësojmë përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të zvogëluar krizën, por këto përpjekje nuk kanë qenë reciproke nga Kosova në veçanti. Si pasojë, jemi të gatshëm të marrim në konsideratë ndryshimin e mbështetjes së Kongresit”.
Në letër thuhet po ashtu se Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ata thanë se janë krenarë që ShBA-të kanë luajtur një rol në pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.
“Gjithashtu, jemi të lumtur që Shtetet e Bashkuara kanë marrë hapa konkrete për të ndërtuar një marrëdhënie me Serbinë. Ka një përkushtim bipartisan për të ruajtur udhëheqjen e fortë të Shteteve të Bashkuara në rajon, por gjithashtu për të siguruar që kapitali ynë diplomatik të mund të përdoret në mënyrë efektive për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura midis të dy vendeve”, thuhet në letrën e tyre.
“Kjo përfshin arrestimet e fundit të tre oficerëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet serbe më 14 qershor. Vendimi i serbëve të Kosovës për të refuzuar të marrin pjesë në zgjedhjet vendore komunale, si dhe veprimet e qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale kanë çuar në një eskalim dramatik të tensioneve dhe dhunës që tani kërcënon paqen e brishtë në rajon.”
“Ju inkurajojmë të aplikoni presion diplomatik për të përfunduar këtë krizë aktuale dhe për të rifilluar progresin në Marrëveshjen e Ohrit. Ne e mbështesim propozimin e Bashkimit Evropian për Serbinë dhe Kosovën, i cili përfshin: tërheqjen e kryetarëve të mbetur nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës; pezullimin e operacioneve policore në afërsi të ndërtesave komunale, me një fund të përkohshëm të demonstratave publike; njoftimin e zgjedhjeve të reja komunale me angazhimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës; dhe rikthimin në dialog për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”, thuhet letër.
“Ju inkurajojmë të shtyni të pezulloni shitjet e planifikuara të shitjeve të armëve të huaja dhe çdo zgjerim tjetër të marrëdhënieve bilaterale të sigurisë me të dy vendet. Kërkojmë që administrata të paraqesë një raport në Senatin e Shteteve të Bashkuara për të konfirmuar se të dy qeveritë po ushtrojnë tërë forcën e tyre për të evituar çdo veprim që mund të cenojë pa nevojë sigurinë e trupave amerikane që marrin pjesë në KFOR. Jemi gjithashtu të gatshëm për të rishikuar financimet dhe autorizimet vjetore bilaterale për të dy vendet sipas nevojës”.
“Zoti President, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur gjithmonë një rol konstruktiv në rajon, dhe ne dëshirojmë që kjo përfshirje të vazhdojë. Por këto marrëdhënie duhet të ndërtohen mbi mirësjellje, bashkëpunim të vërtetë dhe vlera të ndarë. Ne nuk shohim këtë epizod të fundit të tensioneve si një devijim të përkohshëm në marrëdhëniet bilaterale; ne e shohim këtë si një moment vendimtar në rrjedhën e marrëdhënieve tona me të dy vendet. Nëse elementët themelorë të marrëdhënies nuk janë reciproke, ju inkurajojmë të konsideroni hapa të mëtejshëm për të kufizuar këto marrëdhënie ashtu siç kemi paraqitur më sipër”, thuhet në fundin e letrës.


