Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që u mbajtën sot në vendin tonë, gjatë ditës ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit të tyre deri në mbyllje të procesit të votimit, janë hapur katër raste kundër tetë personave, kurse informatat tjera janë duke u trajtuar.
Prej tyre, sipas njoftimit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë pas informatave të pranuara nga qytetarët, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
“Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’”.
“Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’”, njoftoi Prokurori i Shtetit.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë mësohet se ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
“Në rastin e parë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’”.
“Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar dy persona për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale ‘Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar’”, u tha në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.
U tha po ashtu se prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale.