Lajme

Tërnava: I mirë fakti që vizita e Scholz filloi me Kosovën, deklarimet në Beograd ngjallen reagime në Moskë

06/10/2022 18:12
nga:Astrit Gashi

Granit Tërnava nga fondacioni “Konrad-Adenauer-Stiftung”, e ka vlerësuar si të mirë faktin që vizita e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Ballkanin Perëndimor filloi në Kosovë.

Kjo sipas tij, rikonfirmon partneritetin e mirë mes Kosovës dhe Gjermanisë, pasi sipas tij, Gjermania është shtet shumë i rëndësishëm edhe brenda Bashkimit Evropian por edhe në nivel global.

Ai vuri në pah edhe pjesën e parë të deklarimit të Scholz për media, ku foli për investimet në Parkun Teknologjik në Prizren.

“Një pjesë e madhe e deklaratës së tij lidhet rreth ekonomisë dhe në diskutimin me dyer të mbyllura një pjesë e diskutimeve janë bërë për ekonominë dhe thithjen e investimeve të huaja. Edhe Kurti në deklaratën e tij konfirmoi mbështetjen nga Gjermania për thithjen e investimeve të huaja në Kosovë”.

“Unë e di që shifrat s’janë aq të mira në favor të Kosovës në raport të thithjeve të investimeve të huaja e sidomos gjermane, ose s’janë ato që do donim të ishin, por Gjermania mbetet prej investitorëve kryesorë”, është shprehur Tërnava në Klan Kosova.

Kancelari gjerman vizitën e vazhdoi edhe në Serbi, ku u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, të cilit i kërkoi që Serbia t’i vë sanksione Rusisë, dhe në lidhje me këtë Tërnava thotë se këto kanë ngjallur deklarime edhe në Rusi.

“Deklarimet e Scholz kanë ngritur edhe reagimet e Moskës zyrtare sepse po lexoja që zëdhënësja e Punëve të Jashtme ka reaguar në lidhje me deklaratat që lidhen edhe me kushtëzimet për sanksione edhe me deklaratën e njohjes së Kosovës si parakusht për anëtarësim në BE”, është shprehur Tërnava.