Lajme

Tërmkolli kritikon Abdixhikun: E ka spastruar partinë nga rugovianët – e ka mbyll LDK-në me çelës

09/12/2024 20:31
nga:G B

Ish deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka kritikuar kreun e kësaj partie, Lumir Abdixhikun.

Ajo në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se në krye të LDK-së është njeriu që ka qenë kundër kësaj partie dhe se ai LDK-në e ka mbyllur me çelës, e ka spastruar nga të gjithë rugovianët.

Sipas saj, është e gërditshme që Rugova të përdoret për vota, derisa LDK ka shkelur mbi trashëgiminë e tij.

“Tash ka nisur fushata dhe ju e keni parë keqpërdorimin aq të madh që përpiqen vazhdimisht ta bëjnë me presidentin Rugova, është e pështirë e gërditshme, në kohën kur kanë shkelë me dy këmbët në krejt trashëgiminë e Ibrahim Rugovës, tash ta përdorin për zgjedhje, në krye të kësaj që ishte LDK e kanë vënë njërin që ka qenë kundër LDK-së, që kurrë s’ka qenë LDK, ka disa që thonë duhet me njerëz të ri, por sa ka qenë bota mbarë, LDK ka pasur gjithmonë njerëz të rinj por ata që janë rritur me frymën LDK. LDK ka qenë partia jo vetëm më e madhe por ajo që me presidentin Rugova i ka vu bazat e shtetit të Kosovës, por edhe parti nacionale dhe demokratike dhe kur ti e shkel gjithë atë trashëgimi të asaj LDK-je, rugoviane, çka më shet përralla sot me Rugovën, kur nga LDK ka mbetur vetëm vula, përndryshe LDK e kanë mbyll me çelës për të ndërtuar njëfarë ngrehine “Rruga e Re”, është spastruar LDK nga të gjithë rugovianët. Politika nuk matet me moshë por aftësi, njerëz të aftë që mund të kryejnë punë, për të ndërmarrë veprime për ta spastruar LDK-në nga të gjithë njerëzit shtyllë, d.m.th që qëllimshëm po e mbyll atë parti dhe ashtu ka ndodhur”, vlerëson Tërmkolli për Gazeta Blic.


Ajo thotë se përpos të gjitha këtyre, në LDK s’kanë ide as kauzë dhe votat duan t’i marrin duke shkelur mbi çdo vlerë.

“Mandej, hajde po i kalojmë të gjitha këto, çka po paraqet para publikut, a ka ndonjë kauzë, jo vetëm që përkon me politikat burimore të LDK-së por çfarëdo qoftë kauzë, a ka një ide çfarë të bëhet me këtë vend. Këta bëjnë veç pazare, politika në Kosovë është pazar, kush qysh t’i marrë disa vota duke i shkelur të gjitha vlerat, as pesë pare nuk i japin pse i shkelin krejt vlerat, ky radikalizmi nuk do të bëhej kurrë në Kosovë, islamizëm, etj., me rreziqe shumë të mëdha pa mbylljen e syve nga ana e politikës dhe pa ndërveprim politik dhe nëse po sheh dikush një ide se çka po duan të bëjnë për këtë vend, ndoshta unë s’po shoh por është dhimbje për mua kjo çka ka ndodhur dhe çka po ndodh me LDK-në, nuk është as kritikë e as urrejtje por dhimbje sepse LDK ka qenë pasuri kombëtare dhe të degradohet deri në këtë shkallë është e palejueshme”, thekson ish deputetja.

Sa i përket zgjedhjeve, Tërmkolli nuk pret ndonjë ndryshim të madh, derisa thotë se partitë do të bëjnë pazare.

“E përcaktuan datën gjashtë muaj më herët, nuk është se kanë bërë diçka më shumë edhe deri tani por tani gjithçka është në funksion të fushatës nga secili edhe nga pushteti, edhe nga ajo opozitë qoftë edhe krejt formale, edhe mendoj që nuk është që do të ndodhë ndonjë ndryshim tepër i madh në skenën politike dhe siç po shihet është vështirë të bëhet ndonjë ndryshim dhe do të bëjnë vetëm pazare, herë të fshehta e herë duke e akuzuar njëri-tjetrin, të ulëta, për këtë shtet shohim a ka ndonjë parti që ka ndonjë ide se çka do të bëjë me këtë vend e këtë popull, uroj që të ketë”, deklaron Melihate Tërmkolli./Gazeta Blic/