Lajme

Tërmeti i fuqishëm në Filipine lë 37 të vdekur, mbi 20 mijë të zhvendosur

06/09/2026 10:59
nga:Sh R

Ekipet e shpëtimit po kontrollojnë ndërtesat e shkatërruara në jug të Filipineve për t’u siguruar se askush nuk ka mbetur i bllokuar, një ditë pasi një nga tërmetet më të fuqishme që ka goditur vendin në gjysmë shekulli shkaktoi të paktën 37 viktima dhe zhvendosi mbi 20 mijë persona.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm katër persona konsiderohen ende të zhdukur në provincat jugore pranë zonës ku goditi tërmeti me magnitudë 7.8 të hënën në mëngjes. Megjithatë, Zyra e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur se disa ndërtesa të shembura ose të dëmtuara rëndë duhet të inspektohen me kujdes për të gjetur të mbijetuar ose viktima të mundshme.

Tërmeti kishte epiqendrën pranë ishullit Mindanao, ishulli i dytë më i populluar në Filipine. Ai la të plagosur afro 500 persona dhe detyroi më shumë se 20 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, shumica prej të cilëve janë strehuar në qendra emergjente.

Shumë qytetarë u larguan nga banesat për shkak të frikës nga një cunami. Në Filipine u regjistruan valë deri në 1.4 metra mbi nivelin normal të baticës, por dëmet e vetme të raportuara nga cunami ishin shkatërrimi i gjashtë kasolleve të ngritura mbi shtylla në një fshat bregdetar.

Valë më të vogla arritën gjithashtu brigjet e Indonezi, Palau dhe deri në jug të Japoni.

Filipinet goditen shpesh nga tërmete dhe shpërthime vullkanike për shkak të pozicionit të tyre në të ashtuquajturin “Unaza e Zjarrit e Paqësorit”, një zonë me aktivitet të lartë sizmik që rrethon Oqeanin Paqësor, shkruan Euronews.