Lajme

Tërmet i fuqishëm në Kinë, raportohet për 53 të vdekur

01/07/2025 08:09
nga:G B

53 persona raportohet të kenë vdekur si pasojë e një tërmeti të fuqishëm që goditi rajonin malor të Tibetit mëngjesin e së martes.

Po ashtu të lënduar janë edhe 62 persona, njoftuan mediat shtetërore kineze, shkruan CNN.

Dridhjet e tokës që goditën e shenjtë Shigatse të Tibetit, ishin të një fuqie preh 7.1 ballë të Rihterit dhe kishin një thellësi prej 10 kilometrash, kjo sipas të dhënave nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve, i cili gjithashtu tregoi një seri të pasgoditjeve në zonë.

Lëkundjet ndodhën rreth orës 09:00 sipas kohës lokale dhe ato u ndjenë edhe në Nepalin fqinj dhe pjesë të Indisë.

Shigatse konsiderohet si një nga qytetet më të shenjta të Tibetit.

Është selia tradicionale e Panchen Lama, një figurë kyçe e budizmit tibetian, autoriteti shpirtëror i të cilit është i dyti vetëm pas Dalai Lamës, shkruan CNN transmeton Klankosova.tv

Qarku Tingri, pranë epiqendrës së tërmetit, është një bazë popullore për alpinistët që përgatiten të ngjiten në malin Everest.

Mediat shtetërore kineze raportuan se tërmeti kishte një magnitudë pak më të vogël prej 6.8 ballë, duke shkaktuar lëkundje “të dukshme” dhe duke çuar në dëmtimin e mbi 1000 shtëpive. Ka pasur 49 pasgoditje të forta.

Postimet në rrjetet sociale, nga zona e prekur nga tërmeti të martën treguan ndërtesa të shembura.

Forcat ajrore kineze kanë nisur përpjekjet e shpëtimit dhe dronët në zonën e prekur, e cila ndodhet në rrëzë të malit Everest dhe ku temperaturat janë shumë nën zero.

Si energjia ashtu edhe uji në rajon janë ndërprerë.

Presidenti kinez Xi Jinping ka bërë gjithashtu thirrje për përpjekje të gjithanshme të kërkim-shpëtimit për të minimizuar viktimat dhe për të zhvendosur banorët e prekur.