Sporti

Tërhiqet pak orë para startit, Wimbledon humbet finalistin e sezonit të kaluar

07/03/2023 09:32
nga:Lorik J

Ditën e sotme do të startojë një nga eventet kryesorë të tenisit siç është Wimbledon. Por, pak orë para startit, Grand Slami i tretë sezonal humbet një prej protagonistëve kryesorë pasi Nick Kyrgios njoftoi në orët e vona së të dielës se i duhej të tërhiqej. Tenisti australian ka vuajtur problemet fizike në këtë periudhë dhe së fundmi bëri të ditur se e ka të pamundur të marrë pjesë në Wimbledon pasi ndjen shqetësime në kyçin e dorës.

“Këtë periudhë kam pasur shumë probleme fizike dhe në Mallorca ndjeva shqetësime në kyçin e dorës. Vendosa t’i bëja një skaner dhe zbulova se kisha një problem në ligament. Bëra gjithçka ishte e mundur për të qenë gati dhe për të luajtur në Wimbledon, por koha nuk ishte në favorin tim. Do të kthehem shpejt dhe si gjithnjë e vlerësoj shumë mbështetjen e fansave të mi”, u shpreh Kyrgios nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale.

Kyrgios ishte shortuar në raundin e parë të Wimbledon me David Goffin me belgun që tashmë do të kalojë automatikisht në raundin e dytë. Kujtojmë se Kyrgios në sezonin e shkuar mbërriti deri në finalen e Wimbledon aty ku u mposht nga Novak Djokovic. Tashmë edhe me Kyrgios jashtë, Wimbledon humbet një tjetër personazh pas Rafael Nadal apo edhe Emma Raducanu te femrat.

Ndërkohë, sfidat e Wimbledon do të mund t’i ndiqni në ekranin e SuperSport, live dhe ekskluzivisht prej datës 3 korrik.

/ss