Në mes të një skandali global që ka përfshirë formulat e qumështit për bebe, Mbretëria e Bashkuar ka konfirmuar 36 raste të mundshme të helmimit nga cereulide. Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore njoftoi se ka marrë raporte për bebe me simptoma që përputhen me intoksikimin nga kjo toksinë, pasi kanë konsumuar formula të ndotura.
Këto raste lidhen me tërheqje të mëdha produktesh nga tregu, që kanë prekur disa nga kompanitë më të mëdha të qumështit në botë. Në Mbretërinë e Bashkuar, Nestlé dhe Danone kanë tërhequr seri të caktuara të formulave për bebe që nga raportimet e para për ndotje, me tërheqjen më të fundit të kryer këtë javë, raporton Euronews Health.
Britania nuk është i vetmi vend që po heton. Në Francë, autoritetet po shqyrtojnë vdekjen e dy bebeve që kishin konsumuar formula nga seri të përfshira në tërheqje, megjithëse deri tani nuk është konfirmuar një lidhje e drejtpërdrejtë mes formulës dhe shkakut të vdekjes.
Ndërkohë, në Flanders të Belgjikës është konfirmuar një rast i dytë helmimi nga cereulide, pasi një bebe u sëmur në janar 2026 nga formula e kontaminuar e Nestlé. Po hetohen edhe raste të tjera të mundshme.
Megjithëse pjesa më e madhe e tërheqjeve ndodhi në janar, kompanitë vazhdojnë të largojnë produkte nga tregu.
Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) ka vendosur për herë të parë kufij të sigurisë në nivel të BE-së për cereuliden në formulat për bebe, duke përcaktuar dozën maksimale ditore të sigurt.
Cereulide është një toksinë rezistente ndaj nxehtësisë, e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus. Simptomat më të zakonshme janë të vjellat dhe diarreja, që shfaqen 30 minuta deri në tre orë pas konsumimit.
Hetimet kanë gjurmuar ndotjen te një furnizues i vetëm kinez i vajit ARA, një përbërës kyç në formulat premium për bebe.


