Lajme

“Tërheqja nga Trusti nuk krijon kosto shtesë për buxhetin”, deklaron Ministria e Financave

05/25/2022 11:45
nga:Q R

Departamenti i Buxhetit në Ministrinë e Financave ka vlerësuar se ndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale nuk krijon kosto shtesë për buxhetin e shtetit, mirëpo ka deklaruar se mundësimi i tërheqjes së mjeteve nga Trusti mund të krijojë ndikim negativ në fond.

Sipas një qëndrimi të Departamentit të Buxhetit, dërguar Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, ndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale rrezikon Fondin Pensional.

“Departamenti i Buxhetit vlerëson se projektligji për fondet pensionale, nga aspekti i ndikimit buxhetor nuk krijon kosto shtesë për buxhetin mirëpo do të ketë efekt negativ në fondet pensionale të Kosovës, rrjedhimisht në shumë prej 13.5 milionë euro në të hyrat e mohuara tatimore nga pjesa e tërheqjes së kursimeve pensionale”, thuhet në qëndrimin e Departamentit të Buxhetit në MFPT.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka refuzuar t’i japë mbështetje ndryshimit të Projektligjit, bazuar në një shkresë drejtuar Komisionit Parlamentar të cilin e ka lexuar kryetari i komisionit, Armend Muja i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka deklaruar kështu, sipas materialeve: Qeveria e RKS nuk pajtohet me propozimin e deputetit Haxhiu, në fakt e vlerëson nismën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale.. Qeveria e Republikës së Kosovës është afër qytetarëve të Kosovës përmes skemave pensionale, por tërheqja e Trustit nuk i ndihmon qytetarët në nevojë”, thuhet mes tjerash në qëndrimin e qeverisë, citoi kryetari Muja.