Çështja e tërheqjes së një pjese të Trustit (30%) ka shkaktuar diskutime të mëdha në vendin e tonë.
Kjo është një iniciativë e nisur nga qytetarët, por që tashmë po mbështetet edhe nga një pjesë e madhe e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, shkruan GazetaBlic Sport.
Kjo temë ka prekur edhe sferën e sportit në vendin tonë, me një futbollist që ka qenë më i zëshmi në këtë drejtim.
Bëhet fjalë për futbollistin Viktor Kuka, i cili vazhdimisht ka kërkuar që kjo pikë të miratohet dhe se të lejohet tërheqja e 30% të kursimeve nga Trusti.
“Duam paret tona”, “Pro tërheqjes së Trustit”, Mendoni për popullin”, “Vazhdojmë deri në plotësimin e kërkesave tona”, ka shkruar ai në disa postime në të kaluarën e tij.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, futbollisti Kuka tha se këto para janë shumë të nevojshme për qytetarët, sidomos për futbollistët dhe sportistët në përgjithësi.
“Pjesa e qytetarëve që janë kundër Trustit nuk kanë nevojë të shqetësohen. Ata nuk do t’i humbin kursimet e tyre që i kanë ruajtur për pleqëri, kjo për faktin që ata që nuk duan mund të mos i tërheqin ato. Ne, sportistët kemi nevojë më së shumti për këto para të Trusit, duke u bazuar tek fakti që klubet tona janë gjithmonë prapa me punën e pagesave, ku ka klube që nuk i paguajnë lojtarët deri në 4-5 muaj dhe shumica e lojtarëve varen nga pagat e klubeve”, tha Kuka.

Kujtojmë që çështja e Trustit pritet të jetë në votim ditën e enjte në Kuvendin e Kosovës.
/GazetaBlic Sport/


