Ish-kryeprokurori i Gjykatës së Apelit në Mitrovicën e Veriut, Shyqri Syla në “Info Magazine” në Klan Kosova ka folur për tërheqjen e gjyqëtarëve dhe prokurorëve nga pjesa veriore e vendit.
Ai e quajti këtë veprim të nxituar dhe gabuar dhe u shpreh se do të ketë pasoja në funksionimin e organeve të drejtësisë.
“Konsideroj se është një veprim i shpejt, i nxituar dhe i gabuar që do të ketë pasoja edhe në funskionimin e organeve të drejtësisë në këtë pjesë të vendit për faktin se tanimë edhe prokuroria edhe gjyqësori kanë mbetur me një staf të përgjysëmuar, sepse sigurisht nuk do të arrijnë që të kryejnë funksionet e tyre të parapara me ligj dhe kushtetutë”, u shpreh ai.
Tutje, ai tha se që nga vitit vitit 2017 kur është bërë integrimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve serb, ata sipas tij kanë qenë të barabrtë me pjesën tjetër të stafit, përcjell Klankosova.tv.
“Prej vitit 2017 kur është bërë integrimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve serb unë konsideroj që kanë pasur kushte të mjaftueshme, kanë qenë të barabartë me stafin tjetër dhe mund të them lirisht se kanë punuar mirë dhe kanë zbatuar drejt ligjin deri në ditën e djeshme, kur edhe i kanë dorëzuar pozitat e tyre. Nuk janë kushtet ato që e determinojnë dorëheqjen e tyre, janë kushtet politike ato që i kanë shtyrë të japin dorëheqje”, tha ai.


