Kandidati për deputet nga AAK, Arton Demhasaj, ka komentuar deklaratën e liderit të Nismës, Fatmir Limaj, për mundësinë e bashkëpunimit me VV-në për qeverinë.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se deklarata ka qenë tepër e ngutshme dhe se ai gjatë tërë fushatës ka pasur fjalor kundër qeverisë dhe është e çuditshme të ndryshojë qëndrim menjëherë pas zgjedhjeve.
“Së pari ka qenë deklaratë tepër e ngutshme, ku nuk po të fton askush që të ulesh dhe të bisedosh me të dhe ti po shkon po i vetafrohesh. E dyta, nëse e kemi dëgju, unë e kam dëgjuar sepse kam qenë në fushatë me të dhe në të gjitha takimet anembanë Kosovës, fjalorin që ka përdorur Fatmir Limaj karshi kësaj qeverie. Karshi kryeministrit dhe çka ndodhë me ndryshu tash, menjëherë pas zgjedhjeve me pas një ndryshim kaq të madh”, është shprehur Demhasaj.
Sipas tij, edhe po të kishte ofertë nga Kurti, nuk është dashur ta pranojë, e lëre më t’i vetafrohesh.
“Pra unë mendoj që, edhe me pas ofertë, nëse ti ke thënë se ky njeri është i dëmshëm, po i bën dëm Kosovës dhe duhet ta rrëzojmë sa më parë, e në anën tjetër sapo i fiton ata 3 deputetë që i ke, nuk e merr mundimin për të vazhduar atë betejën politike që e ke nisur për ta rrëzuar qeverinë dhe për ta sjellë një qeveri tjetër, i vetafrohesh të njëjtës qeveri apo të njëjtit kryeministër, mendoj që këto nuk shkojnë, por me gjasë z.Limaj do ta ketë mundësinë t’i sqarojë gjithë ato që i ka thënë, sepse me gjasë një pjesë e tyre kanë mundur edhe të keqkuptohen por unë personalisht nuk e shoh që 3 deputetë të Nismës t’i bashkohen Kurtit për ta bërë qeverinë, sepse edhe ajo qeveri është në tetik për arsye se s’ka numër të mjaftueshëm të deputetëve për të qeverisur si duhet. Nëse flasim për opozitën, numrat e tyre flasin shumë më shumë, një qeveri e opozitës mund të jetë shumë më stabile për shkak të numrave që i ka por mbetet të shihet pasi të shpallen rezultatet finale”, ka vlerësuar ai për Gazeta Blic.
Sa i përket deklarimeve të Kurtit se qeverinë do ta formojë vetë, Demhasaj thotë se me opozitën nuk e bën, por mund ta bëjë me deputetët e komunitetit joshumicë dhe komunitetit serb.
“Kryeministri mund të flasë për qeverinë por ai duhet së pari të japë shpjegime për katër vjet në qeveri çfarë ka bërë, që nuk i ka realizuar premtimet, ka bërë fushatë pa realizuar asnjë premtim, e tash i ka 47-48 deputetë që nuk janë të mjaftueshëm për ta bërë qeverinë, por janë të mjaftueshëm që edhe me deputetët e komunitetit joshumicë dhe komunitetit serb dhe ta bëjë një shumicë dhe sa kam parë, qëndrimet e partive opozitare nuk shkojnë me Vetëvendosjen dhe ku i merr VV numrat që ta bëjë qeverinë. Kjo është shumë e qartë”, ka deklaruar Arton Demhasaj./Gazeta Blic/


