Veprimtari Xhafer Murtezaj ka bërë një rrëfim për Drenicën e njerëzit e rëndësishëm të kësaj komune. Ai ka folur edhe për familjen heroike Jashari, duke treguar disa detaje nga sulmi i parë mbi ta në dhjetor të vitit 1991.
Murtezaj është shprehur se nga ky sulm ka pasur tentime që të kapnin krerët e kësaj familje, Adem Jasharin, Hamzë Jasharin si dhe Rifat Jasharin.
“Rasti i parë që është shumë interesant është më 10 dhjetor të 1991-tës ku tentojnë me shku me i zënë Ademin, Hamzën edhe Rifatin. Arrijnë me shpëtu, por atë ditë ka pas shumë forca të mëdha, ka pas edhe maltretime të mëdha, ka pas të rrahur e të maltretuar, sidomos baca Shaban. Shumë i maltretuar ka qenë edhe Xhafer Jashari”, ka thënë ai në emisionin “Fakte me Adnan MEROVCIN” në Klan Kosova.
Në mesi e rrëfimit Murtezaj ka folur edhe për protestat e përgjakshme të ’90-shit ku sipas tij, në Skenderaj në krye kanë pasur komandantin Adem Jashari si dhe Sahit Jasharin.
“Është interesant data e 20 shkurtit 1990 në protestat e përgjakshme, atë ditë ku kanë qenë protestat në krejt Kosovën. Në Mitrovicë vrahet Selmon Vojvoda, student i vitit të dytë dhe plagosen katër apo pesë të tjerë. Ne e krejt nxënësit kemi qenë në Skenderaj të shtëpia e kulturës në protesta për kundërshtim të suprimimit të Kushtetutës. Po vijnë Policia me na largu, s’mujten, erdhën dy helikopterë gjuajtën gaz lotsjellës dhe jemi shpërnda”.
“Protestuesit, demonstruesit dolën te kryqëzimi i Jasharëve ku brohoritshin. Aty kryesori ka qenë Adem Jashari, Sahit Jashari ka pas edhe të tjerë, por ata që atë ditë kanë rënë në sy dhe kanë bërë veprim të veçantë janë këta dy”, ka treguar ai.