Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues Sami Sharraxhiu, i cili pas administrimit të provave, e ka gjetur fajtor të pandehurin F.F.
Sipas aktgjykimit, përveç dënimit me burgim, të pandehurit iu shqiptua edhe dënim unik me gjobë prej 1 mijë euro, për armëmbajtje pa leje.
Dënimin me gjobë, i pandehuri detyrohet ta paguajë brenda afatit prej 30 ditësh dhe në rast të mospagesës, gjoba do t’i kthehet në burgim.
Të pandehurit iu vazhdua paraburgimi pas shpalljes së aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.
Ndryshe, aktakuza e ngritur më 16 tetor 2020 nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon F.F, me tre vepra penale si “vrasja e rëndë në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” në dy raste.
Sipas aktakuzës, në korrik të 2020-ës, F.F me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij, të dëmtuarën N.N. dhe me atë rast ka vënë në rrezik jetën e dëmtuarve, djalit dhe vajzës së tyre.
Tutje, thuhet se në ditën kritike, për shkak të disa mosmarrëveshjeve të atëçastshme që kanë ndodhur në shtëpinë e tyre, i pandehuri me të dalë jashtë nxjerr nga brezi revolen e llojit M-57, kal 7.62 mm, ku ka shtënë në drejtim të derës së hyrjes, e më pas ka qëlluar edhe dy herë në drejtim të gruas së tij, e cila ishte brenda në korridor të shtëpisë dhe e njëjta kishte pësuar dëmtime të rënda trupore në boshtin kurrizor.
Me çka, i akuzuari F.F, ka kryer vepër penale të “vrasjes së rëndë në tentativë”.
Në aktakuzë, ai po ngarkohet edhe me dy vepra të tjera penale që pa autorizim ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një armë zjarri dhe municion, pa leje të organeve kompetente. /BetmipërDrejtësi


