Gjykata Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka shpallur aktgjykim dënues ndaj P.B. të akuzuar për “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Ai është dënuar me burgim unik prej 4 vjet e 6 muaj.
I pandehuri “akuzohet se më datë 20 dhjetor 2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Diaspora” në Brekoc – Gjakovë, i pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje pronësore të vazhdueshme, ka tentuar me dashje ta privojë nga jeta të dëmtuarin Gj.B. Gjatë një bisede pranë rrethojës së oborrit, pas një fjalosjeje, i pandehuri ka nxjerrë pistoletën dhe ndërsa i dëmtuari po largohej me vrap, ka shtënë nga një distancë rreth 3 metrash, duke e goditur në pjesën e poshtme të shpinës. Si pasojë, i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetën, për të cilat ka qenë i nevojshëm operimi”.
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.”


