Lajme

Tentim vrasja në Gjakovë, mbi pesë vite burg për të akuzuarin

10/27/2023 12:58
nga:N K

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykimin kundër A.N., i cili është i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë dhe për mbajtje të paautorizuar të armës.

Përmes një komunikate për media, gjykata ka njoftuar se i akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg në kohëzgjatje prej pesë vite e tre muaj, ku do t’i llogaritet edhe koha e paraburgimit që nga data 25 maj 2023.

Tutje, në komunikatë thuhet se më 25 maj të këtij viti, në Gjakovë, i pandehuri me qëllim ka tentuar të vrasë F.N., pasi djali i tij ditë më parë e kishte marrë për grua bashkëshorten e të pandehurit.

“Ditën kritike i pandehuri ka marrë revolen e tipit Ekol Tuna të kalibrit 6.35×15 mm, ka dalë në qytet dhe me të takuar të dëmtuarin F.N., rreth orës 12:20 min i cili po vinte rrugës përballë tij me biçikletë në dorë, i pandehuri ndalet, kthehet prej tij dhe i thotë “ku je mar p… nënës tone”, e nxjerrë revolen nga xhepi, dhe në distancë prej 2 metra shkrep një herë në të duke e mbajte armën në dorë derisa i dëmtuari ikë dhe futet me të shpejtë në një lokal. Më pastaj i pandehuri largohet me të shpejtësi nga aty ndërsa i dëmtuari për shkak të plagëve të marra dërgohet për ndihmë të shpejtë në spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, i cili më pas trajtimit, nga ekzaminimi mjeko-ligjor ka rezultuar me lëndime të lehta trupore dhe me lëndim të përkohshëm të shëndetit”, shpjegohet në komunikatë.

Poashtu, nga i pandehuri është konfiskuar një pistoletë gjysmë automatike e kalibrit 6.35×15 mm bashkë me dy fishekë dhe një brisk.