Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar ashpër shpërndarjen e 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët nga Qeveria Kurti, duke e quajtur këtë veprim si një tentativë për të blerë vota në prag të zgjedhjeve, raporton GazetaBlic.
LDK thotë se kjo është një “lëmoshë e dhënë në fund të vitit”, që nuk mjafton as për të paguar faturat e energjisë elektrike.
Kurti: Rritjen ekonomike dhe të hyrat buxhetore po i ndajmë me qytetarët e familjet!
Përmes një reagimi zyrtar, LDK premtoi rritjen e pagave për shërbyesit publik me 200 euro që në javën e parë të mandatit, duke theksuar se kjo është një zgjidhje afatgjatë për vështirësitë e qytetarëve, krahasuar me veprimet e momentit të Qeverisë Kurti.
Deputetët e LDK-së gjithashtu kritikuan qeverinë për keqpërdorimin e buxhetit të shtetit dhe për rritjen e çmimeve, duke akuzuar se ky veprim është i motivuar nga paniku dhe nevoja për të siguruar mbështetje para zgjedhjeve.
Edhe, Partia Demokratike e Kosovës, po e cilëson të pamjaftueshme, ndarjen prej 100 eurosh të Qeverisë Kurti për pensionistë dhe fëmijët, si shtesë të këtij muaji.
Koordinatori për Financa në Partinë Demokratike, Arben Mustafa, u shpreh se me këtë vendim, pensionistët marrin vetëm 100 euro më shumë gjatë gjithë vitit, ndërsa me qeverisjen e PDK-së, do të marrin 1000 euro më shumë.
”Qeveria ndërmori veprimin e radhës si përpjekje për të mbuluar dështimin 4-vjeçar. Me këtë qeveri, pensionistët marrin vetëm 100 euro më shumë gjatë gjithë vitit. Me Bedri Hamzën Kryeministër, pensionistët do të marrin 1000 euro më shumë brenda një viti, dhe shumë më shumë kushte për përmirësimin e jetës për familjet kosovare”.