Lajme

Tensionet në veri, Kosova dhe Serbia nesër takohen në Bruksel

09/28/2021 10:14
nga:M K

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se të mërkurën në Bruksel pritet të mbahet një takim i shefave të grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, për të diskutuar rrugëdaljen nga situata e krijuar pas vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave me Serbinë.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane tha se në takim pritet të marrë pjesë edhe zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.

“Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe inkurajojmë të dyja palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë në proces”, tha zëdhënësi i ambasadës.

Escobar paralajmëroi të premten në një intervistë me Zërin e Amerikës se “lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”.

Për nëntë ditë me radhë grupe qytetarësh serbë në veriun e Kosovës po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit për targat.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë të hënën se kanë shtuar patrullimet gjithandej Kosovës përfshirë edhe veriun.

“KFOR-i ka marrë hapa të mëtejshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e tij edhe në vendkalimet kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës.

Masat, që janë diskutuar më herët të diskutuara nga komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë për qëllim ndihmesën për uljen e shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në një komunikatë të forcave paqeruajtëse.