Një situatë e pazakontë ka përfshirë përfaqësuesen e Republikës së Irlandës në prag të ndeshjes ndaj Izraelit, pasi disa lojtarë kanë shprehur shqetësime për situatën në Gaza dhe kanë diskutuar mundësinë e refuzimit për të luajtur.
Portieri Gavin Bazunu ishte ndër lojtarët që, sipas raportimeve, nuk dëshironte të merrte pjesë në ndeshje. Edhe disa bashkëlojtarë të tjerë thuhet se shqyrtuan mundësinë e një bojkoti kolektiv.
Çështja është diskutuar gjatë brenda skuadrës, ndërsa lojtarët kanë pasur qëndrime të ndryshme lidhur me përballjen ndaj Izraelit dhe situatën në Gaza.
Megjithatë, pas diskutimeve, një “shumicë e konsiderueshme” e skuadrës votoi që ndeshja të zhvillohet. Për rrjedhojë, Republika e Irlandës do të luajë ndaj Izraelit.
Kapiteni Dara O’Shea kishte deklaruar më herët se lojtarët duhet të respektojnë pikëpamjet e ndryshme brenda ekipit. Edhe trajneri Heimir Hallgrímsson ka pranuar se në skuadër ekzistojnë qëndrime të ndryshme për këtë çështje.
Debati vjen në një periudhë kur ndeshjet e Irlandës ndaj Izraelit kanë shkaktuar diskutime të gjera në vend, për shkak të situatës humanitare dhe politike në Gaza.
Pavarësisht kundërshtimeve të disa lojtarëve, vendimi i shumicës së skuadrës është që Irlanda të zbresë në fushë dhe ta zhvillojë ndeshjen ndaj Izraelit.
/GazetaBlic Sport/


