Fit&Sexy

Temperaturat e larta/ Gjinekologët tregojnë efektet pozitive dhe negative për gratë shtatzëna – dhe si të mbrohen

07/21/2024 09:07
nga:N K

Gjinekologu Driton Prenaj, në një intervistë dhënë për GazetaBlic, ka treguar për ndikimin e temperaturave të larta ndaj nënave shtatëzëna dhe efektet pozitive dhe negative që mundet të kenë gjatë ekspozimit në diell gjatë periudhës së shtatëzanisë.

“Një grua shtatzënë përveq që është shtatzënë ka edhe hormone tjera, nëse ka ngarkesë edhe të temperaturave të larta atëherë gjendja e saj mundet të rëndohet, por jo në një masë të madhë të rrezikshme për jetën, mirëpo kanë efekte negative”, tha ai.

Prenaj apelon tek gratë shtatzëna që të konsumojnë sa më shumë dhe lëngje në këto temperatura të larta për rritje të lëngjeve në organizëm.

“Mesazhi im për këtë kohë është që ne duhet të luftojmë masat parandaluese. Masa kryesore parandaluese për kohën, kur temperaturat janë të larta duhet të qëndrojmë në vende të freskëta dhe ku ka ajrosje. Të konsumohen sa më shumë ujë dhe lëngje tjera për t’i rritur lëngjet brenda trupit. Mos të veshemi trash, duhet të vishen tesha të holla të cilat janë me ngjyrë të ndritshme, jo me ngjyrën e zezë. Nëna shtatëzënë ka nevojë të marrë shumë më shumë lëngje gjatë kësaj periudhe, për shkak se edhe humbja e lëngjeve është më e madhe qoftë nëpër mjet djerësitjes por edhe për shkak të nxehtësisë rritet sasia e urinës”, deklaroi ai për GazetaBlic.

A mund të ketë lindje të parakohshme gjatë qëndrimit në temperatura të larta?

“Ka disa studime që tek temperaturat e larta ekstreme të cilat zgjasin shumë mund të ketë ndikim edhe në një lindje të parakohshme. Mirëpo, kjo nuk mund të ndodhë kur ka tri katër ditë diell, por kur janë edhe kushtet ekonomike të këqija, dhe kur nuk kemi mundësi për të pasur një mbrojtje prej masave të diellit”, theksoi Prenaj.

Gjinekologu tutje tregon masat pozitive dhe negative të ekspozimit të grave shtatzënë në diell.

“Mund të kenë temperatura optimale ndikime pozitive tek një grua shtatzënë, p.sh.: njëra ndër ndikimet pozitive është që në një temperaturë normale mundet të ketë aktivitet fizik të shtuar. Një shëtitje në natyrë, gjë e cila në stinën e dimrit është koha e ftoftë. Ka gra të cilat kanë rritje të humorit apo edhe nevoja për relaksim në këto temperatura. Më e shpeshta si efekt negative është rritja e rrezikut për dehidratim, d.m.th trupi shpenzon lëngje më shumë sesa në një gjendje normale të temperaturave normale. Temperaturat e larta sidomos këto temperatura të ditëve të fundit që janë në Kosovë, kanë ndikim negativ në shtatzëni. Kryesorja është mos të ketë ekspozim të diellit në mënyrë të drejtëpërdrejtë, mirëpo duhet tentim për shmangie diellit sa më shumë. Në momentin që ekspozohemi në diell direkt, atëherë duhet të jetë lëkura e lyer me SPF faktor”, tha tutje ai.

“Shumë gra shtatëzënë në kohën kur ka diell e ndjejnë veten shumë më mirë dhe më qetë, nëse ju ekspozohen rrezeve të diellit. Rritja e temperaturave mundet të ndikojë edhe tek rritja e tensionit arterial të grave shtatzënë”, përfundoi gjinekologu Driton Prenaj.

Në një prononcim për GazetaBlic gjinekologia Edibe Hoda, ka treguar ndikimin e temperaturave të larta në shëndetin e grave shtatzëna.

“Temperaturat e larta mund të ndikojnë në shëndetin e fëmijës brenda barkut. Dehidratimi dhe mbinxehja e trupit të nënës mund të çojnë në uljen e rrjedhjes së gjakut në placentë, duke zvogëluar furnizimin me oksigjen dhe ushqyes për foshnjën. Kjo mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e tij dhe të rrisë rrezikun për komplikacione gjatë shtatzënisë. Prandaj, është shumë e rëndësishme që gratë shtatëzëna të marrin masa për të qëndruar të freskëta dhe të hidratuara gjatë periudhave me temperatura të larta”, tha ajo.

Sa kanë ndikim temperaturat e larta tek gratë shtatëzëna?

“Temperaturat e larta mund të kenë ndikim të konsiderueshëm tek gratë shtatëzëna. Ato mund të rrisin rrezikun për dehidratim, lodhje dhe probleme të qarkullimit të gjakut. Gjithashtu, temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë tension të lartë dhe të rrisin rrezikun për lindje të parakohshme. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që gratë shtatëzëna të marrin masa për të mbrojtur veten dhe foshnjen e tyre gjatë periudhave me temperatura të larta”, theksoi gjinekologia Hoda për GazetaBlic.

Çfarë masash duhet apeluar te gratë shtatëzëna për mbrojtje nga temperaturat e larta?

“Si gjinekologe, unë apeloj që gratë shtatëzëna të marrin masa të veçanta për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta. Këto masa përfshijnë:

Pini mjaftueshëm ujë për të shmangur dehidratimin.

Qëndroni në ambiente të freskëta dhe të ajrosura.

Vishini rroba të lehta dhe të lira që lejojnë lëkurën të marrë frymë.

Shmangni ekspozimin e drejtpërdrejt në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Konsumoni ushqime të lehta dhe të freskëta.

Pushoni shpesh dhe shmangni aktivitetin fizik të tepruar”, përfundoi gjinekologia Edibe Hoda.

/GazetaBlic/

Linku i intervistës: