Partia Demokratike e Kosovës ka thirrur seancë të jashtëzakonshme në Kuvendit e Kosovës, për 4 shtator, raporton Gazeta Blic.
E shkak për këtë seancë janë tekstet shkollore, ku Qeveria e Kosovës mori vendim që ato duhet të blihen nga prindërit pas subvencionimit të ekzekutivit.
Njoftimin për këtë e ka bërë deputetja e PDK-së Eliza Hoxha.
“Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente”, ka shkruar ajo.
Njoftimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Ky vit i ri shkollor, po fillon i shoqëruar me njërin prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie: pse Dështimin për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.
Shkollat janë të papërgatitura, nxënësit nuk kanë tekste shkollore e materiale mësimore, ndërsa familjet e prindrit janë të braktisur. Mbi 200 mijë nxënësve nuk do t’iu ofrohen në shkolla tekstet falas, ashtu siç e përcakton ligji dhe ashtu siç ka ndodhur për më shumë së një dekadë.
Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente.
Prandaj, ne, deputetët e opozitës – anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, kemi iniciuar thirrjen e Seancës së Jashtëzakonshme të Kuvendit e cila do të mbahet të hënën, më 04 shtator.
Në kushtet e paaftësisë dhe mosveprimit të qeverisë, Kuvendi duhet të ndërpres pushimin dhe ti kthehet punës, e të diskutoj mbi përgjegjësinë e qeverisë për këtë dështim të pashembullt në përmbushjen e mandatit kushtetues e ligjor të saj.


