Lajme

Të premten protestohet para KEDS e Qeverisë kundër shtrenjtimit të rrymës

02/04/2026 08:07
nga:Sh R

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, së bashku me organizatën “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike. Protesta do të mbahet këtë të premte, duke filluar nga ora 13:00, pranë ndërtesës së KEDS-it dhe do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në njoftimin e tyre për media, organizatorët kritikojnë rritjet e vazhdueshme të faturave të energjisë elektrike që nga viti 2022, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të dëmshme për qytetarët. Sipas tyre, KEDS-i ka kërkuar rritje të vazhdueshme të çmimeve, të cilat janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), në kurriz të mirëqenies së qytetarëve.

“Qytetarët e Kosovës sot nuk paguajnë vetëm koston reale të rrymës, por edhe humbjet, keqmenaxhimin dhe gabimet e KEDS-it, vetëm për të garantuar fitime gjithnjë e më të mëdha për këtë kompani”, thuhet në deklaratë.

Organizatat përmendin gjithashtu ndërprerjet e shpeshta të energjisë, mungesën e ngrohjes gjatë dimrit dhe rritjen e kostos së jetesës si pasoja direkte të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ato rikujtojnë rritjen prej 16.1% të miratuar vitin e kaluar dhe paralajmërimin për një tjetër rritje rreth 20% këtë vit, të cilën e konsiderojnë “zhvatje të hapur ndaj qytetarëve”.