Një e katërta e popullit të Kosovës është e papunë, dhe nuk do të ketë mundësinë të përfitojë nga masat e Qeverisë, ku kryeministri Kurti bëri të ditur që do t’i ndante nga 100 euro për familjet me asistencë sociale, pensionistët, punëtorët e sektorit publik, atij privat dhe studentët.
Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliun, i cili u shpreh se ky vendim është i vonuar, por i rëndësishëm, teksa thotë se 100 euro nuk janë zgjidhje e problemeve dhe krizave që po kaplojnë vendin.
“Kosova është duke u ballafaquar me shumë sfida, por ajo ekonomike dhe sociale është me të vërtetë mjaft shqetësuese. Besoj që pakoja prej 100 milionë eurove do të jetë ‘infuzion’ social – por nuk është zgjidhje e problemeve. Është vendim i vonuar, por i rëndësishëm dhe dua të besoj që duhet të punohet në gjetjen e një alternative afat-mesme dhe afat-gjate”, tha fillimisht Gërxhaliu.
Sipas Gërxhaliut, shqetësues është fakti se nuk janë të përfshirë të gjithë qytetarët, duke marrë parasysh se kemi një numër të madh të papunësisë në vend.
“Kjo pako nuk është diçka që do të zhvillojë ekonominë, por brenga më e madhe është se nuk janë të gjithë të përfshirë. Është një shkallë e papunësisë mjaft e madhe – por dua të besoj që ky është një hap i parë që duhet të analizohet, studiohet dhe në këtë drejtim të kemi një shtrirje horizontale. Kuptohet se këto para për fat të keq nuk do të jenë për zhvillim, por për rritje konsumi, për faktin se ne nuk kemi prodhim, pra do të eksportohet për produkt të mallrave dhe këto mallra e kanë një inflacion vërtetë të pakontrolluar dhe shqetësues, ku në vitin 2022 në muajin mars shkalla e inflacionit në Kosovë është dyshifrore, prandaj besoj që vendimi është i vonuar, megjithatë i duhur”, përfundoi ai.
/GazetaBlic
Klinaku nga OVL UÇK-së: Me pagën minimale rriten edhe pensionet për veteranët


