Të paktën 54 persona u vranë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës të enjten, duke përfshirë tre fëmijë dhe dy oficerë të rangut të lartë të forcave policore të Hamasit, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.
Forcat izraelite goditën të enjten herët në një zonë humanitare të shpallur nga Izraeli, të njohur si Muwasi, ku qindra mijëra njerëz të zhvendosur janë të strehuar në tenda në dimrin e ftohtë dhe me shi. Në këtë sulm u vranë të paktën 11 njerëz, përfshirë gra dhe tre fëmijë.
Në sulmet e tjerë në pjesën qendrore dhe veriore të Rripit të Gazës u vranë të paktën 43 palestinezë. Viktimat në një sulm në Gazën qendrore ishin anëtarë të komisioneve lokale që ndihmojnë në sigurimin e autokolonave të ndihmave, sipas punonjësve të Spitalit Martirët e Al-Aksës, ku u dërguan kufomat. Një gazetar i agjencisë së lajmeve Associated Press, i cili ndodhej në spital konfirmoi numrin e viktimave.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite mbi sulmet e ditës së enjte.
Sipas të dhënave të ministrisë së Shendëtësisë në Rripin e Gazës nga sulmet ajrore dhe tokësore izraelite, që filluan në tetor të vitit 2023, janë vrarë më shumë se 45 mijë njerëz, më shumë se gjysma e tyre, gra dhe fëmijë. Zyrtarët shëndetësorë në Rripin e Gazës nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe militantëve të Hamasit në raportet e tyre mbi numrin e viktimave.
Lufta filloi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në 7 tetor 2023. Sipas të dhënave izraelite gjatë sulmit u vranë 1200 vetë, kryesisht civilë dhe u morën peng 250 të tjerë. 100 pengje mbahen ende në Gazë dhe një e treta e tyre besohet se ka vdekur.
/Euronews Albania/