Numri i viktimave nga përplasja e dy trenave në Spanjë është rritur në 39 dhe 152 persona të tjerë janë plagosur, raportoi transmetuesi shtetëror spanjoll RTVE, duke u thirrur në burime policore.
Paraprakisht, autoritetet spanjolle kishin konfirmuar vdekjen e 21 personave, pasi të dielën një tren i shpejtë doli nga shinat dhe u përplas me një tren tjetër që po vinte në drejtim të kundërt në jug të Spanjës.
Aksidenti ndodhi në afërsi të Adamuzit, provincë e Kordobës, që gjendet rreth 360 kilometra në jug të kryeqytetit, Madrid.
Mëngjesin e së hënës, kreu i Qeverisë rajonale të Andaluzisë, Juanma Moreno, paralajmëroi për mundësinë e rritjes së numrit të viktimave, pasi njoftoi se disa nga të shtruarit në spital ishin në gjendje të rëndë.
“Forca e aksidentit ka qenë shumë e madhe… ka gjasa të gjejmë [edhe] trupa të tjerë”, tha Moreno, duke shtuar se do të nevojiten mjete të rënda për të larguar pjesët metalike të shkatërruara të trenave, në mënyrë që të tentohet të lokalizohen viktimat e tjera të mundshme.
Video nga vendi i ngjarjes, të shpërndara në rrjetet sociale, shfaqën ekipet e shpëtimit duke nxjerrë pasagjerët nga vagonët. Disa pasagjerë dolën nga dritaret e thyer, ndërsa të tjerë u larguan me barela.
Gazeta El Pais raportoi se mes viktimave ishte edhe drejtuesi 27-vjeçar i trenit që udhëtonte nga Madridi drejt Huelvës, përkatësisht shoferi i trenit që u godit.
Në dy trenat që u përplasën ndodheshin rreth 400 pasagjerë, shumica prej tyre spanjollë që po ktheheshin drejt dhe nga Madridi pas fundjavës.
Nuk është e qartë se sa turistë mund të kenë qenë në bordin e dy trenave, pasi që janari nuk është sezon pushimesh në Spanjë.
Treni i dytë, që ishte nisur për në Huelva dhe operohej nga Renfe – kompani e financuar nga shteti – po udhëtonte me një shpejtësi prej rreth 200 kilometrash në orë në momentin e përplasjes, raportoi El Pais. Nuk është e qartë se me çfarë shpejtësie po udhëtonte treni i parë që doli nga shinat.
Shkaku i përplasjes ende nuk dihet, tha ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, gjatë një konference për media në Madrid, duke shtuar se “është shumë e çuditshme” që dalja nga shinat ndodhi në një segment të drejtë të hekurudhës. Ky segment ishte rinovuar në muajin maj, shtoi ai.
“Sonte është një natë e dhimbjes së madhe për vendin tonë”, shkroi në X kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez. Ndërkaq, një zëdhënës i pallatit mbretëror tha se mbreti dhe mbretëresha e Spanjës po përcjellin me shqetësim zhvillimet.
Aksidenti ndodhi në orën 19:45, sipas kohës lokale, rreth 10 minuta pasi treni i kompanisë Iryo u nis nga Kordoba drejt Madridit, thanë autoritetet.
“Treni Iryo 6189 Malaga [drejt Madridit] ka dalë nga shinat në Adamuz, duke u përplasur në linjën hekurudhore ngjitur. Edhe treni [nga Madridi] drejt Huelvës, i cili po udhëtonte në këtë linjë ngjitur, ka dalë nga shinat”, njoftoi përmes rrjeteve sociale, Adif, kompania që menaxhon rrjetin hekurudhor në Spanjë.
Puente tha se shumica e viktimave ndodhin në dy vagonët e parë të trenit të dytë, Renfe Alvia, që doli nga shinat pas përplasjes. Në vagonin e parë gjendeshin 37 persona, ndërsa në të dytin 16, tha ai.
Treni i kompanisë Iryo kishte më shumë se 300 pasagjerë, ndërkaq i Renfes rreth 100.
Iryo është një operator privat i trenave dhe shumica e aksioneve në këtë kompani janë nga grupi hekurudhor në pronësi shtetërore italiane, Ferrovie dello Stato. Kjo kompani tha përmes rrjeteve sociale se i vjen keq për atë që ka ndodhur dhe se ka aktivizuar të gjithë protokollet e emergjencës për të punuar ngushtë me autoritetet.
Ndërkaq, Renfe tha se aksidenti ndodhi pasi treni i Iryo doli nga shinat, duke shtuar se shërbimet e emergjencave ende po nxjerrin pasagjerë./REL


