Fati i të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë mbetet plagë për familjarët, duke marrë për bazë edhe angazhimin e paktë të institucioneve, po vlerëson Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit Koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës në Kosovë.
Grajqevci në një intervistë për Ekonomia Online shtoi se edhe ndërrimi i shpeshtë i pushteteve, por edhe ekspertëve ka bërë që kjo çështje të zvarritet deri më tani.
“Sa i përket institucioneve të Kosovës, është pikërisht procesi edhe ndërrimi i qeverisjeve dhe komisioneve sidomos asaj për krime lufte, Instituti i Mjekësisë Ligjore, policia për krime lufte dhe faktikisht edhe ju kam lutur, institucioneve të tanishme që mos të prekin në ato fusha ku duhet të jenë ekspertë sepse ne nuk kemi nevojë për qoban, por për hulumtues dhe ekspertë. Edhe pse janë ndërruar qeveritë, ekspertët nuk është dashur të ndërrohen, duhet të ketë vizion sepse 22 vite janë shumë, dhe familjarët kanë nevojë për drejtësi dhe një ligj”, tha Grajqevci.
Pritshmëritë nga qeverisja e Albin Kurtit për dallim me qeveritë e kaluara janë më të mëdha nga ana e Grajqevcit, ngase sipas tij, ai ka qenë anëtar i Këshillit dhe i njeh mirë këto procese.
“Ne nuk e dimë se çfarë është dialoguar në Bruksel për çështjen e personave të zhdukur. Kurti qysh në vitin 2000 ka qenë anëtar i joni në këshill dhe ai e din këtë gjë shumë mirë, pres më shumë rezultat nga ai pikërisht për njoftimin e tij në këtë proces, uroj që nuk do jetë si qeverisjet e mëparshme duke mos i dhënë rëndësi”, deklaroi ai.


