Lajme

Të hyrat vetanake për Komunat- Paralajmërohet se Hekuran Murati do të dërgohet në Kushtetuese

04/06/2023 19:33
nga:Genita C

Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi ka folur lidhur me bllokimin e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake, ku sot ministri i Financave, Hekuran Murati tha se kjo çështje rregullohet me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Ligjin për Buxhetin, duke shtuar se vetëm po e zbaton Ligjin që është miratuar në Kuvend.

Ibrahimi në një prononcim për GazetaBlic thotë se, neni 27 i Ligjit për financat publike ia garanton komunave bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake, por ligji për buxhetin e vitit 2023 thotë se vetëm nga viti paraprak, teksa bëri të ditur se kjo është në kundërshtim me Ligjin.

“Neni 27 i Ligjit për financat publike i cili është ligj bazik për funksionimin e sistemit të financave publike në Republikën e Kosovës, ia jep të drejtën komunave që mund t’i bartin mjetet financiare nga vitet paraprake. Kjo do të thotë që ky ligj ia garanton komunave bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake, por ligji për buxhetin e vitit 2023 thotë se vetëm nga viti paraprak. Kjo është në kundërshtim me ligjin për funksionimin e financave në Republikën e Kosovës”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi theksoi faktin që ministri i Financave mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga ndonjë komunë e Kosovës në lidhje me këtë çështje.

“Ka mundësi që ndonjë komunë, sepse Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk ka të drejtë me dergu në Gjykatën Kushtetuese, mund ta dërgojnë këtë në Gjykatën Kushtetuese dhe mund të theksoj që shkelet parimi ndërkombëtar i funksionimit të financave lokale, ku mjetet nga të hyrat vetanake duhet të shërbejnë për përkrahjen e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmisimin e jetës së qytetarëve”, tha Ibrahimi për GazetaBlic.

Kujtojmë se, edhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka ngre alarmin se Qeveria e Kosovës, saktësisht ministra e Financave po bllokon 28,8 milionë euro të të hyrave vetanake për kryeqytetin e Kosovës, raporton Gazeta Blic.

Rama thotë se është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave.

“Si Kryetar i Kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë”, ka shkruar Rama.

Sipas kryetarit të Prishtinës janë 28.8 milion Euro të parapara për 172 projekte kapitale të kryeqytetit për këtë vit, të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës.

Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade, vlerëson ai.

“Prandaj, kërkoj nga Ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale. Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës’, shkruar ai./GazetaBlic/

Ministri Murati për bllokimin e të hyrave të Komunave: Po e zbatojmë Ligjin që e keni miratuar ju si Kuvend