Arratisja e dy shqiptarëve nga një burg grek ka ngritur në këmbë autoritete policore, por nga ana tjetër ka vënë në pikëpyetje masat e sigurisë në këto institucione.
Romeo Qosja dhe Lefter Toçi u arratisën nga burgu grek në Kassavetia mbrëmjen e 2 Janarit.
Dy të burgosurit ishin dënuar me nga 20 vite burg për vepra të rënda kriminale.
Romeo Qosja nga Cërriku i dënuar për vrasje, grabitje, shkatërrim prone me zjarr dhe armëmbajtje pa leje dhe Lefter Toçi nga Bradasheshi i Elbasanit i dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, bashkëpunim në vrasje, plagosje me pasojë vdekje, grabitje, shkatërrim prone me zjarr.
Të arratisurve u kishin dhënë pesë ditë pushim në vitin 2024 dhe me sa duket përfituan nga leja për të planifikuar arratisjen e tyre.
Zhdukja e tyre u zbulua në orën 21:00 të së enjtes kur efektivët shkuan të kontrollonin qelitë dhe i gjetën bosh.
Që nga viti 2019 mbaheshin në burgje të sigurisë së ulët, në një zonë të parrethuar, për shkak të sjelljes së mirë. Dhoma e tyre kontrollohej vetëm disa herë në ditë nga stafi. Në 5 vite ata kishin përfituar 5 herë leje për të dalë.
/Euronews Albania/