Kryetari i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi i ka reaguar ministrisë së Financave, ku tha se pa asnjë konsultë, kanë filluar të bëjnë tatimin edhe në tokat bujqësore.
Ibrahimi tha për GazetaBlic se komunat nuk kanë të bëjnë fare me këtë vendim.
“Ministria e Financave pa asnjë konsultë ka ndryshuar ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme ku ka vendosur që nga ky vit të fillojë të tatohen edhe parcelat bujqësore që kultivohen. D.m.th komunat nuk kanë fare të bëjnë me këtë vendim”, tha ai.
“Për habi, në ligjin e amanadamentuar në gusht të vitit të kaluar është paraparë që edhe njësitë e kultivuara të parcelave bujqësore do të tatohen. Në ligjin e vjetër kanë qenë një njësitë bujqësore të kultivuara të lirohen nga tatimi në pronë kurse njësite e pakultivuara nuk kanë qenë të liruara, sepse qëllimi i ligjit të vjetër ka qenë stimulimi i bujqëve që të kultivojnë tokat bujqësore”, shtoi ai.
Ai thotë se pas këtij vendimi do të ngarkohen bujqit, teksa e quan të çuditshme faktin që ky ligj nuk do të zbatohet në komunat veriore të Kosovës.
“Tash të gjitha parcelat do të tatohen dhe kjo është bërë pa konsultë. Normal që do jetë ngarkesë shtesë për bujqit. Çka është e çuditshme, ky ligj do të zbatohet për të gjitha komunat, përveç në komunat e pjesës veriore të Republikës së Kosovës. Ligjet duhet të zbatohen në tërë teritorin e Republikës së Kosovës e jo të zbatohet në mënyrë parciale. Normal që kjo do jetë edhe një barrë e re për bujqit kosovar”, tha Ibrahimi për GazetaBlic


