Lajme

“Tanku i së ardhmes”: Franca dhe Gjermania nënshkruajnë një projekt me vlerë miliarda euro

04/26/2024 17:02
nga:Mergim Rreci

Ministri i Mbrojtjes i Francës, Sebastien Lecornu, priti homologun e tij gjerman, Boris Pistorius, këtë të premte në Paris.

Kjo me qëllimin për të ratifikuar një marrëveshje mbi një projekt të ri të përbashkët tankesh të quajtur “Sistemi kryesor i luftimit tokësor” (MGCS).

Kjo marrëveshje formale nis zhvillimin e fazës së parë të mjetit të blinduar, të quajtur “tanku i së ardhmes” – një projekt me vlerë miliarda euro.

Tanku i ri i betejës do të zëvendësojë tankun gjerman Leopard 2 dhe Leclerc të Francës.

Edhe pse të dy ministrat këmbëngulën se projekti nuk duhet të shihet si një model i ri i tankut Leopard 2, një nga mjetet luftarake më të avancuara në botë.

“Nuk bëhet fjalë për të bërë një Leopard 3 ose 4, por për të dizajnuar diçka krejt të re”, theksoi ministri gjerman i Mbrojtjes.

Tanku thuhet se do të përfshijë inteligjencën artificiale dhe do të ketë disa sisteme të automatizuara që nuk do të kërkojnë “pilotë njerëz”, raporton Euronews.com, transmeton Klankosova.tv.

Ministrat njoftuan se shpërndarja e kontratave për prodhuesit pritet të finalizohet deri në fund të vitit – “një synim ambicioz”, u thanë ata gazetarëve.