Lajme

Talibanët premtojnë se do të jenë përgjegjës, do t’i hetojnë rastet e krimeve në Afganistan

08/21/2021 10:02
nga:Y I

Talibanët do të jenë përgjegjës për veprimet e tyre dhe do të hetojnë rastet e dhunës dhe mizorive që janë kryer nga anëtarët e grupit, ka thënë një zyrtar i grupit militant islamik për Reuters të shtunën.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, shtoi se grupi ka në plan të përgatis një model të ri për qeverisjen e Afganistanit brenda javëve të ardhshme.

Kanë kaluar një javë që kur talibanët morën kontrollin e shpejtë të vendit, duke shkuar në Kabul të dielën e javës së kaluar pa të shtëna me armë zjarri.

Që nga atëherë, civilët afganët dhe grupet ndërkombëtare të ndihmave dhe avokimit kanë raportuar se talibanët janë duke u hakmarrë në formë të ashpër kundër protestuesve dhe personave që kanë mbajtur poste qeveritare.

“Ne kemi dëgjuar se janë kryer disa raste të mizorive dhe krimeve kundër civilëve”, tha zyrtari.

“Nëse talibanët (anëtarët) po bëjnë këto probleme të rendit dhe ligjit, ata do të hetohen”.

“Ne mund ta kuptojmë panikun, stresin dhe ankthin. Njerëzit mendojnë se nuk do të jemi të përgjegjshëm, por nuk do të jetë kështu”.

Prej kur talibanët morën drejtimin e vendit, një numër i madh i shtetasve të huaj dhe afganëve shkuan në aeroportin e Kabulit duke qëndruar për ditë me radhë për t’u larguar nga aty me aeroplanë.