Lajme

Talat Xhaferi kryeministër i Maqedonisë/ Analistët: Tejet e rëndësishme për shqiptarët, të investohet në përmirësimin e statutit të tyre

01/28/2024 20:45
nga:G B

Talat Xhaferi është betuar sot si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ai mori 65 vota pro, tri kundër dhe asnjë abstenim nga 111 deputetë sa ishin në sallë.

Xhaferi u betua si kryeministër para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pas dorëheqjes së Qeverisë së kaluar që udhëhiqej nga Dimitar Kovaçevski dhe do të qeverisë për 100 ditë pasi bëhet fjalë për një qeveri teknike.

Zgjedhja e tij si kryeministër i Maqedonisë së Veriut u cilësua historike.

Tejet të rëndësishme e sheh analisti politik Gazmir Raci.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic thotë se duhet të vazhdojë përmirësimi i statusit të shqiptarëve në Maqedoni.

“Tejet e rëndësishme që një shqiptar është zgjedhur për herë të parë kryeministër i një qeverie në RMV. Përmirësimi i statusit të shqiptarëve në RMV duhet të vazhdojë. Ende ka shume punë”, thotë ai.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, thotë për Gazeta Blic se është pozitive edhe për shqiptarët në Maqedoni zgjedhja kryeministër e Talat Xhaferit, derisa shton se kjo dëshmon se Maqedonia po ecën drejt BE-së.

“Pozitive edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit, pa marrë parasysh se zgjedhja është e përkohshme dhe tranzicionale, deri në zgjedhjet brenda tre muajve apo dikur rreth 100 ditëve. Kjo dëshmon se Maqedonia po ec drejt BE-së, Maqedonia ende duhet të investojë më shumë në ndërtimin e një shteti multietnik, ku të gjithë bashkësitë etnike trajtohen barabartë, por padyshim zgjedhja e Talatit përbën një frymë të re demokratike në Maqedoni, nacionalizmi nuk është rrugë për zhvillimin demokratik. Maqedonia duhet të ecë përpara duke zhdukur diskriminimin, inatin politik dhe nacionalizmin apo edhe ksenofobinë”, shprehet ai.

Burjani vlerëson se Maqedonia po bëhet evropiane, duke pranuar dy kombe udhëheqëse.

“Mendoj që Maqedonia po pranon dy kombe udhëheqëse, maqedonas dhe shqiptarë, pra duhet po ashtu të gjitha pakicat tjera jo shqiptare dhe jo maqedonase të respektohen deri në maksimum, Maqedonia po bëhet me plot kuptimin e fjalës evropiane, po afrohet, pra duhet të përshpejtojë reformat tjera shtetërore”, potencon ai.

Sipas tij, kjo për shqiptarët do të thotë që janë drejt trajtimit të barabartë me maqedonasit.

“Për shqiptarët do të thotë drejt barazisë me kombin maqedonas dhe trajtim të barabartë në administratën shtetërore dhe në shoqërinë shumë etnike maqedonase”, deklaron Blerim Burjani për Gazeta Blic./Gazeta Blic/

HISTORIKE: Talat Xhaferi bëhet kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut

Ahmeti: Pa një pajtim shqiptaro-serb stabiliteti dhe siguria e rajonit është e lënduar