Lajme

Taksisti 55 vjeçar gjendet pa shenja jete brenda në veturë, rasti po hetohet

01/15/2026 14:49
nga:Genita C

Një person me inicialet A.S i moshës 55 vjeçare, me profesion taksist është gjetë sot rreth orës 01:20 pa shenja jete brenda veturës së tij në rrugën “Hajdar Shala”, në Prizren.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, ku nga ekipi mjekësor i Urgjencës është konstatuar vdekja e personit.

“Sipas informatave fillestare, në rrugën ‘Hajdar Shala’, në Prizren, një person mashkull , rreth 55 vjeçar (A.S.), banor i Prizrenit, me profesion taksist, është gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tij. I ndjeri ishte duke qëndruar në pritje, me automjetin e parkuar në një vend-parkim të rezervuar për TAXI. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, ku nga ekipi mjekësor i Urgjencës është konstatuar vdekja e personit. Pas pranimit të informatës, ekipi kujdestar i Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, tha ai.

Ndërkaq, siç tha Bytyqi lidhur me rastin është njoftuar prokurori, dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në IML për ekzaminim të mëtejmë.

“Gjatë ekzaminimit sipërfaqësor të trupit, nuk janë vërejtur shenja të dhunës. Rasti vazhdon të hetohet si ‘Hetim i Vdekjes’ , në bashkërendim me Prokurorinë”, ka thënë ndër të tjera Bytyqi.