Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ekipën e tij janë tërhequr dy hapa mbrapa për çështjen e dinarit.
Haziri në një prononcim për GazetaBlic thekson se, shumë shpejt do të publikohet zgjidhja që e ka propozuar Lajçaku.
“Është një fakt i ri, tash e dy javë që Kurti me ekipën e tij janë tërhequr dy hapa mbrapa në çështjen e dinarit. Është çështje e menaxhimit të kohës dhe besoj që shumë shpejt do të publikohet një zgjidhje që e ka propozuar Lajçaku dhe ekipi i tij”, tha Haziri.
Madje, sipas Hazirit, kryeministri i Kosovës do ta pranojë atë propozim të Lajçakut.
“Kurti ka bërë veprime të njëjta edhe në shtatë raste të tjera, ka rezistu, por në fund e ka pranu propozimin e ndërmjetësit ndërkombëtar”, tha Haziri për GazetaBlic.
Ndryshe, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i ka ftuar kryenegociatorët e dy palëve që të vazhdojnë takimet për çështjen e dinarit në Bruksel.Kështu bëri të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për medie.
“Ata do të takohen këtë të mërkurë këtu në Bruksel, dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme të përkohshme për njerëzit e prekur nga rregullorja e Bankës Qendrore”, tha ai.Sipas Stanos, kjo temë po e largon vëmendjen nga progresi i implementimit të aneksit të Ohrit.
“Në secilin takim që ishte për këtë çështje, shpresonim që të ishte i fundit. Pasi këto tema po e largojnë vëmendjen nga ajo që duhet, dhe ajo që duhet është progresi në implementimin e Aneksit të Ohrit”, shtoi Stano.
Çështja e dinarit, kryenegociatorët takohen të mërkurën në Bruksel


