Lajme

Takimi me presidenten për datën e zgjedhjeve/ A kanë ndryshuar qëndrim LDK dhe AAK për shpërbërjen e Kuvendit?

07/29/2024 19:51
nga:G B

Të mërkurën (31 korrik) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i pres në takim krerët e partive politike opozitare.

Ajo me ta pritet të diskutojë për caktimin e zgjedhjeve të ardhshme.

Nga PDK, LDK e AAK kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takim, ku liderët e partive do të japin qëndrimet e tyre.

Por, derisa zgjedhjet e rregullta mund të caktohen në janar ose shkurt 2025, mundësia për t’u caktuar data e zgjedhjeve më herët, çon në zgjedhje të parakohshme.

Por, a kanë ndryshuar qëndrim LDK dhe AAK për mënyrën e shkuarjes  në zgjedhje të parakohshme?

Kujtojmë se të dy partitë ishin pro dorëheqjes së kryeministrit Kurti dhe jo shpërbërjes së Kuvendit para dorëheqjes, ndërsa që PDK kërkonte që të shpërbëhej Kuvendi dhe vendi të shkonte në zgjedhje.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, thotë se për Gazeta Blic se s’mund të japë përgjigje në pyetje hipotetike, duke mos treguar nëse kanë të njëjtin qëndrim ose jo.

“E kam të pamundur në pyetje hipotetike”, tha ai për Gazeta Blic, duke rikonfirmuar pjesëmarrjen e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në takimin me presidenten.

Ndërsa, AAK nuk ka ndryshuar qëndrim për dorëheqjen e Kurtit.

Drejtori për informim në këtë parti, Lulëzim Blaka, thotë për Gazeta Blic se qeveria vazhdon të jetë e dështuar.

“Jo nuk kemi pse të ndryshojmë mendje. Qeveria vazhdon të jetë e dështuar”, tha Blaka.

Mbetet të shihet se çfarë rezultatesh do të sjellë takimi i presidentes Osmani me krerët e partive./Gazeta Blic/

Ftesa e presidentes për datën e zgjedhjeve: Nga VV tregojnë se kur shkojmë në zgjedhje!

Takimi i thirrur nga Osmani për datën e zgjedhjeve: Flasin nga AAK!