Sekretari amerikan i Shtetit ka pritur në takim presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në deklaratën e Departamentit të Shtetit, u tha se u diskutua për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi, normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve, me qendër njohjen reciproke.
“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken ka takuar sot presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Uashington DC. Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe Sekretari falënderoi liderët për mbështetjen e tyre të fortë për Ukrainën dhe pritjen bujare të afganëve. Ata diskutuan rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qendër njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, thuhet në njoftimin e DASH.
Për vizitën e Kurtit dhe Osmanit në SHBA dhe takimin e tyre me Blinken, dhe mesazhet e DASH-it, analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë për Gazeta Blic se takimi ka rëndësi të jashtëzakonshme dhe ky takim tregon se SHBA-ja është partneri më i rëndësishëm i Kosovës.
Ai shton se mesazhet duhet të merren shumë seriozisht nga kryeministri Kurti dhe prioritetet që i ka vendosur SHBA të përfundohen e jo të mbesin vetëm fjalë në letër.

“Vizita është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe është mirë që ka ndodhur, sidomos në nivel të tillë çfarë është sekretari i shtetit. Natyrisht se në këtë vizitë me pritjen që i është bërë Osmanit dhe Kurtit nga sekretari i shtetit është treguar se partneri më i rëndësishëm i Kosovës janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po ashtu besoj se mesazhet të cilat kanë dalë pas takimit, nga kryeministri sidomos duhet të merren me shumë seriozitet prioritetet që i ka vendosur SHBA-ja në raport me Kosovën, në kuptimin që duhet të përfundohen, të merren si prioritete që përnjëmend e jo vetëm si fjalë që mbeten vetëm në letër”, vlerëson Mushkolaj.
Ai thekson se vizita nuk është e jashtëzakonshme siç mund ta vlerësojnë militantët e VV-së por që është përkushtim i SHBA-së që dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet sa më shpejt me njohje reciproke.
“Unë këtë vizitë nuk e kam parë të jashtëzakonshme, në kuptimin që ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, siç mund ta vlerësojnë militantët e partisë në pushtet, por e kam parë si një përkushtim të SHBA-ve, sidomos në këtë kohë kur po shihet se ekziston një dinamikë e re e përfaqësuesve amerikanë në rajon por edhe Shtëpisë së Bardhë në përgjithësi që çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të përmbyllet sa më shpejt, siç u pohua edhe në deklarimin zyrtar të departamentit me njohje reciproke në qendër”, deklaron Imer Mushkolaj./Gazeta Blic/


