Më 27 shkurt në Bruksel, kryediplomati evropian Josep Borrell, ka ftuar në takim kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.“Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u tha ditë më parë në njoftimin për takim të BE-së.
Analisti politik, Dritëro Arifi thotë për GazetaBlic se, çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të diskutohet në këtë takim.
Arifi shtoi se nuk jemi në fazën që të diskutohet çëshja e Asociacionit.
“Sa i përket këtij takimi, mendoj se në radhë të parë do të diskutohen të gjitha pikat që ndërlidhen me planin franko-gjerman, por nuk besoj që do të ketë specifika të veçanta që do të diskutohen, siç është çështja e Asociacionit, të pakten jo në këtë fazë”, tha Arifi.
Arifi shtoi se një diskutim i tillë do të ndodhë javëve në vazhdim, por sipas tij tani kemi të bëjmë me negociatat që Kosova dhe Serbia të pranojnë këtë plan.
“Në këtë fazë është me e rëndësishme që të gjindet dakordimi për planin franko-gjerman. Në javët në vazhdim mund të kemi diçka të tillë në këtë drejtim, por parimisht duhet të dakordohet për planin franko-gjerman, pra të dyja palët ta pranojnë”, tha ai.
/GazetaBlic/


