Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar dje komunën e Mitrovicës së Jugut, ku është takuar me kryetarin Bedri Hamza.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, në fokus të këtij takimi ka qenë puna e komunave dhe bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe nivelit lokal për realizimin e projekteve që janë në shërbim të qytetarëve.
“Pas vizitës dhe takimit me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, kryeministri Kurti ka vizituar sot edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza. Të dy takimet kanë pasur në qendër të diskutimit punën e këtyre komunave dhe bashkëpunimin ndërmjet qeverisë dhe komunave në realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Përparim Kryeziu për Dukagjinin.
Në lidhje me këtë takim ka folur për “Gazeta Blic” ish-ambasadori i Kosovës në RMV, Gjergj Dedaj.
Dedaj tha se takimet dhe dialogu ndërpartiak për të gjitha temat të cilat janë në dobi të qytetarëve janë imediate dhe duhet të ndodhin ndëmjet liderve të partive politike kosovare.
Ai tha se takimi i kryetarit të LVV-së, Albin Kurti dhe kryetarit të Mitrovicës, Bedri Hamza, duhet të shifet si një takim normal.
“Takimet dhe dialogu nderpartiak për të gjitha temat të cilat janë në dobi të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës janë imediate dhe duhet të ndodhin ndëmjet lidderve të partive politike kosovare. Prandaj edhe takimi i kryetarit të LVV,Albin Kurti dhe kryetarit të Mitrovicës,Bedri Hamza duhet të shifet si një takim normal.Ajo që është bërë publike për opinion dihet se është biseduar për çështjet e politikave lokale të Mitrovicës” deklaroi Dedaj.
Dedaj tha se Kurti është politikani më misterioz dhe dinak në politikën kosovare.
Ai tha se i njëjti me këtë takim ka mundur të ketë një strategji vetanake për të testuar opinionin, anëtarësinë e LVV-së por edhe krerët e PDK, për ndonjë agjendë politike dhe daljen eventuale nga ngërçi politik.
“Deputeti Albin Kurti njihet si politikani më misterioz dhe më dinak në politiken kosovare, ai edhe ka mundur të ketë një strategji vetanake për të testuar opinionin, anëtarësinë e LVV-së por edhe krerët e PDK, për ndonjë agjendë politike dhe daljen eventuale nga ngërçi dhe kolapsi politik i Kosovës” tha ai.
Dedaj tha se LVV-ja nuk po tregon refleksion dhe gadishmëri për bashkëqeverisje me subjektet e tjera politike në interes të Repubkikës së Kosovës.
“Kryetari i LVV jo vetëm që ka dështuar në qeverisjen gjatë dy mandateve të kaluara, por ka dështuar dhe kapitulluar me formimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, edhe pse i ka 48 deputet dhe është partia e parë. Pra, LVV nuk po tregon refleksion dhe gadishmëri për bashkëqeverisje me subjektet tjera politike në interes të Repubkikës së Kosovès. Albin Kurti i gjendur në gjendje të mjerë dhe të dëshpëruar politike po bën fiskultura politike për të krijuar klimë të rrejshme politike se gjoja partitë tjera parlamentare janë fajtore për mos-konstituimin e institucioneve shtetërore kur haptazi dihet se Kurti është bllokuesi dhe fajtori kryesorë për dështimin e shtetit të Kosovës. Kandidati për kryeministër Bedri Hamza është një politikan modern i profilit të lartë europian dhe botëror, prandaj është i hapur dhe i gatshëm për takine, dialog dhe debat për ta nxjerrur Kosovën nga ferri politik dhe humnera Kurtiane” tha Dedaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.


