Nesër në Bruksel, kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi dhe ai i palës serbe, Petar Petkoviç, do të mbajnë takimin e tyre të radhës, në kuadër të dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Anitta Hipper, ka thënë se të dy palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim dhe se aty do të “shqyrtojnë një sërë çështjesh, përfshirë atë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”.
Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë gjatë Qeverisë Haradinaj, Avni Arifi, në një intervistë dhënë për GazetaBlic, vlerëson se në rrethana normale nuk pritet asgjë.
Sipas tij, e gjitha që mund të rezultoi nga ky takim mundet të jetë ndonjë veprim populist nga ana e Qeverisë.
“Në rrethana normale, pritet kurrgjë. Nuk ka njeri që beson se do të ketë në zhvillim kur është në pyetje çka Serbia mund të bëjë apo Kosova mund të bëjë. Së pari, Serbia pa pasur presion nuk bën lëshime kurrë dhe nuk ka presion Serbia për asnjë lëshim, kurse Kosova me këtë Qeveri që është në fushatë elektorale, krejt çka mundemi me pritë është ndonjë veprim populist që me dalë te elektorati sa më patriot e me u dukë sa më patriot, e kurrgjë mos me bë faktikisht. Pritjet janë zero, çka mund të jetë befasi ndonjë veprim i papritur nga Bashkimi Evropian. Ky takim e vetmja risi të ketë ose diçka që mund të ketë mund të jetë pikërisht diçka që ndërlidhet me BE-në. As Beogradi as Prishtina nuk do të bëjnë asnjë hap drejt përparimit në dialog”, tha Arifi.
Duke pasur parasysh sulmet e fundit që ndodhen në veri të vendit, dhe se një ndër çështjet e këtij dialogu është edhe normalizimi mes dy vendeve, a mund ta favorizojnë Kosovën në këtë dialog?
Arifi përgjigjet se kjo nuk do të luajë asnjë rol në bisedimet që do t’i kenë.
“Qëndrimi i qartë që e ka BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është se kemi të bëjmë një akt të rëndë terrorist, mirëpo asnjëra nga këto nuk kanë pranuar që të drejtojë gishtin e fajësisë tek Beogradi zyrtar d.m.th., kjo nuk do të luajë asnjë rol në bisedimet që do t’i kenë në dhjetor sepse sipas tyre hetuesia ende nuk ka dëshmuar se Serbia është fajtore. Ne jemi shqiptarë të Kosovës, ne të gjithë e dimë kush është fajtor, ne e dimë që Serbia, që shteti Serb është prapa kësaj, por i takon shtetit të Kosovës, Policisë, Prokurorisë, Hetuesisë që ta dëshmojnë këtë me dëshmi të pakontenstueshme”, potencoi Arifi.
Ndër të tjera, ai vlerësoi se Kosova është ajo që ia ka lidhur këmbët vetes me Marrëveshjen e Ohrit.
Gjithashtu, sipas ish-kryenegocatorit topi është në anën e Kosovës dhe se veprime të Qeverisë nuk do të ndodhin deri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Kosova ia ka lidhë vetes këmbët me Marrëveshjen e Ohrit, sepse me pikën e pestë të Marrëveshjes së Ohrit veprimet që duhet t’i bëjë pala e parë është Kosova. Me pikën pesë Kosova duhet të bëjë progres në impelementimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kjo Marrëveshja e Ohrit është pranuar nga Kurti, dhe si rezultat i saj ka ardhur edhe drafti i Lajçakut. Tash topi është në anën e Kosovës, politikisht po flas nga prizmi ndërkombëtar, dhe priten veprime nga Qeveria e Kosovës, por kjo sigurt nuk do të ndodhë përpara 9 shkurtit”, përfundoi ai.
Kujtojmë se takimi i fundit i kryenegociatorëve, ishte mbajtur më 24 tetor, i cili përfundoi pa rezultate.