Lajme

Takimi i liderëve të partive me Osmanin/ Pantina nuk pret sot “zgjidhjen e shumëpritur”

05/15/2025 09:42
nga:G B

Liderët e partive politike në Kosovë do të takohen sot me presidenten Vjosa Osmani, për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit.

Takimi do të mbahet pas ftesës që u bëri presidentja liderëve, pas ngërçit në Kuvend, ku për 15 seanca ka dështuar të bëhet konstituimi.

Megjithatë, partitë kanë deklaruar se nuk ndryshojnë qëndrimet e tyre.

Por, çka pritet nga takimi i sotëm?

Analistja politike, Shqipe Pantina, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se duhet përshëndetur iniciativa e presidentes për takimin.

“Është për t’u përshëndetur iniciativa e Presidentes për t’i bërë bashkë partitë politike në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve të reja”, shprehet ajo.

Pantina shprehet skeptike se sot mund të ketë një zgjidhje të shumëpritur, por beson se konsultimet do të vazhdojnë ose për të krijuar institucionet, ose për të shkuar në zgjedhje.

“Unë nuk besoj se qysh sot do të gjendet zgjidhja e shumëpritur, megjithatë është një fillim i mirë dhe me siguri konsultimet mes partive do të vazhdojnë ose për krijimin e institucioneve, ose për shkuarje në zgjedhje të parakohshme”, deklaron Shqipe Pantina.

Ndryshe, sot mbahet seanca e Kuvendit, ku do të jetë përpjekja e 16-të për konstituim, derisa janë bërë 1 muaj që kur nisi seanca e parë më 15 prill./Gazeta Blic/