Ministri serb, Aleksandar Vullin, ish-anëtari i partisë së Sllobodan Millosheviqit, është shprehur i zemëruar nga takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me kryesuesin e Presidencës së Bonjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq.
Ministri i famëkeq, mohues i gjenocidit në Sarajevë, ka thënë se Kurti dhe Xhaferoviq e urrejnë Serbinë sepse “ata hanë buke serbe”.
“Kur Xhaferoviq shkon te Kurti dhe i premton bashkëpunim me shtetin e rrejshëm të Kosovës, shkel qëndrimin zyrtar të Bosnjës dhe Hercegovinës se Kosova është pjesë e Serbisë”, tha Vullin.
“Edhe Xhaferoviqi edhe Kurti hanë bukë serbe, mendoj se prandaj na urrejnë kaq shumë. Shpresoj se Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare do ta dënojnë shpejt kërcënimin e Xhaferoviqit për paqen dhe stabilitetin në Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon”, tha ministri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar kryesuesin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, në margjinat e Forumit Ekonomik Delphi në Greqi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e Kryeministrit të Kosovës (ZKM) njofton se në këtë takim të kryeministrit Kurtit me kryesuesin Xhaferoviq janë diskutuar raportet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e forcimit dhe përparimit të bashkëpunimit, përkundër pengesave politike.
“Në takim u diskutua për situatën politike dhe të sigurisë së rajonit, pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë, të cilën të dy e dënuan ashpër”, bëri të ditur ZKM-ja.


