Lajme

Takimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, Osmani do ta bëjë këtë veprim për vizat

06/22/2022 13:37
nga:Q R

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në Bruksel.

Temë bisede mes tyre ishte çështja e liberalizimit të vizave, për të cilën po shpresohet se do të ketë ndonjë rezultat pozitiv në samitin e nesërm që do të mbahet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

“Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës sonë evropiane”, ka thënë Osmani.

Osmani tha se me Metsolan pati një diskutim të hapur dhe përmbajtjesor për vizat.

“Diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE”.

Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e krerëve të Bashkimit Europian me liderët e Ballkanit Perëndimor.