Me 18 gusht në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ftesa për të dy erdhi nga BE që ndërmjetëson dialogun.
Lidhur me pritjet nga dialogu dhe temat që duhet të diskutohen, për Gazeta Blic ka folur eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula.
Ai vlerëson se në takim do të diskutohet edhe për zhvillimet e 31 korrikut në veri, për të qartësuar çështjen e reciprocitetit.
“Takimi i përfolur për datë 18 Gusht, 2022 i radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq, sigurisht që mes tjerash, do jetë lidhur edhe me zhvillimet e 31 korrikut në veri të vendit, e një takim i tillë është më se i domosdoshëm për të qartësuar dhe për të përafruar qëndrimet lidhur me ecurinë e dialogut por edhe mbi zbatimin e reciprocitetit”, thotë ai.
Sipas Pulës, takimi ka rëndësi të veçantë dhe do të shihen rezultatet.
“Rëndësia e këtij takimi mbase është i një rëndësie të veçantë edhe si përfundim do të shihen rezultatet në terren mbi zbatushmërinë e vendimeve për sa i përket letërnjoftimeve në hyrje dalje dhe tabelave”, thekson ai për Gazeta Blic.

Ai shton se diskutimi i reciprocitetit është i pashmangshëm dhe duhet qartësuar se kush ka shkaktuar shqetësim te popullata në veri dhe qeveria duhet ta shtrijë autoritetin në atë pjesë.
“Diskutimi mbi reciprocitetin pashmangshëm që do trajtohet si temë dhe se duhet të kërkohet qartësi, madje të insistohet në të kuptuarit, se kush janë grupet e uniformuara dhe të organizuara (sipas raportimeve) të cilët kanë shkaktuar shqetësime tek popullata pa dallim etnie, e të cilët paraqesin rrezik dhe prishin qetësinë atje. Padyshim që qeveria qendrore duhet të shtrijë autoritetin në atë pjesë të vendit, dhe kjo duhet të parashtrohet si nevojë imediate, madje duhet pritur një aprovim nga Brukseli zyrtar si zbatim i kushtetushmërisë dhe ligjshmërisë. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka ndërmarrë asgjë më tepër se sa atë që buron nga marrëveshja në Bruksel, e të cilën Serbia e ka zbatuar njëanshëm”, deklaron Shqiprim Pula./Gazeta Blic/


