Lajme

Takimi Bislimi-Petkoviq në Bruksel|| Analistët tregojnë zgjidhjet e mundshme për targat para 21 nëntorit

11/15/2022 12:29
nga:G B

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka ftuar në Bruksel palën kosovare dhe atë serbe, për të gjetur një zgjidhje për targat.

Ai tha të hënën se nuk mund të arrihet në datën 21 nëntor, por duhet zgjidhje më herët.

Tensionet e krijuara për targat tha se e kanë krijuar krizën më serioze në dhjetë vitet e fundit.

Sot në Bruksel kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të takohet me kryenegaciatorin serb Petar Petkoviq, ku do të zhvillojnë negociata për targat.

Lidhur me agjendën e temat e diskutimit nuk dihen detaje, e për këtë nuk kanë kthyer përgjigje për Gazeta Blic as nga zyra e zv/kryeministrit Bislimi.

Ndërsa, analistët kanë dhënë mendimet e tyre për takimin dhe çështjen e targave.

Politologu Dorajet Imeri, thotë për Gazeta Blic se nuk duhet të vendoset theksi te tërheqja e Kosovës pasi marrëveshja për targat është dashur të zbatohet prej kohësh.

“Mendoj që situata nuk duhet të shihet shumë ngushtë dhe të vendoset theksi se Kosova duhet të tërhiqet, sepse marrëveshja parimisht është dashur të zbatohet shumë kohë më parë, madje konform dakordimit të palëve dhe lehtësuesit të bisedimeve”, vlerëson ai.

Imeri mendon se do të jetë e vështirë të ketë një marrëveshje për targat, nëse ato shihen si mjet politik për të penguar shtyrjen e proceseve tjera.

“Parimisht është e mundur të gjendet një zgjidhje, por nëse shihen targat si mjeti politik për të penguar shtyrjen e proceseve të tjera, vështirë se mund të ketë një marrëveshje”, potencon ai për Gazeta Blic.

Politologu thekson se Kosova dëshiron që ta shtyjë drejt dështimit planin franko-gjerman, e Kosova ta shtyjë zbatimin e themelimit të Asociacionit.

“Këtu vërej dy gjëra, e para se Serbia dëshiron ta shtyjë drejt dështimit projektin Gjermano-Francez, ndërsa Kosova dëshiron ta shtyjë moszbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit, që është vlerësuar si jokushtetues. Kosova mund ta shtyjë vendimin për zbatimin e marrëveshjes për tagrat, nëse merr mbështetje dhe garanci për mos themelim të asociacionit një-etnik”, deklaron Dorajet Imeri.

Në anën tjetër, analisti politik, Gazmir Raci, vlerëson se që të menaxhohet situata e sigurisë në veri, duhet gjetur zgjidhje kalimtare sot.

Si opsion ai e sheh vazhdimin e qortimit për targat edhe për 10 muaj.

“Do duhej që sot të gjendet një zgjidhje kalimtare në mënyrë që të menaxhohet situata e sigurisë sidomos në pjesën veriore. Një prej opsioneve reale do të ishte që sot palët të pajtoheshin që qortimi të vazhdohet për 10 muajt e ardhshëm e mos të kalohet në fazat tjera të planit të Qeverisë së Kosovës”, thotë ai për Gazeta Blic.

Raci thekson se Serbia duhet të vendos se a është për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të Brukselit dhe BE duhet t’ia bëjë të qartë se nëse ndërhyn kaq hapur në Kosovë, nuk ka vend në familjen evropiane.

“Natyrisht Serbia duhet përfundimisht të vendos se a është për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të Brukselit a jo dhe këtu rol duhet të luajë komuniteti ndërkombëtar. Duhet bërë të qartë Serbisë se duke ndërhyrë kaq hapur në Kosovë, ajo nuk mund të bëhet anëtare e BE-së sepse po cenon rëndë parimet themelore të vetë Bashkimit Evropian”, deklaron Gazmir Raci./Gazeta Blic/