Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli thotë se nuk sheh përparim të situatës as në takimin e 16 nëntorit, ku kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi si dhe homologu i tij nga Serbia Petar Petkoviq, do takohen në Bruksel.
Pacolli në një prononcim për GazetaBlic i ka kritikuar të dyja palët për mos-transparencë e seriozitet.
Ai paralajmëroi se me situata të tilla nuk mund të ketë fund të mbarë.
“Unë nuk shoh përparim në këtë plejadë. Nuk shoh transparencë, sinqeritet apo seriozitet nga të dyja palët. Situata të tilla rrallë çojnë në një fund të mbarë”, tha Pacolli për GazetaBlic.
Kujtojmë se, lajmi për rundin e ri të dialogut, në nivel kryenegociatorësh, vjen pasi bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 tetor në Bruksel, zhvilluan takime të ndara me liderët e BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë kërkuan që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Serbia të njohë defacto pavarësinë e Kosovës.


