Lajme

Takim mes Organizatave të shoqërisë civile dhe pative politike për letrën drejtuar Kurtit

05/03/2021 11:40
nga:Gazeta Blic

Organizatat e shoqërisë civile të cilat punojnë për dhe me komunitetet e margjinalizuara etnike në Kosovë siç janë romët, ashkalitë dhe egjiptianët të përfaqësuar nga: Isak Skenderi – Drejtor Ekzekutiv në OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve,  Muhamet Arifi – Drejtor Ekzekutiv në “Ballkan Sunfloëers” Bashkim Ibishi – Drejtor Ekzekutiv në “Advancing Together”, Bekim Syla – Drejtor Ekzekutiv në “Qendrën e Dokumentimit të Romëve dhe Ashkalive” dhe Berat Thaçi – Drejtor Ekzekutiv në “Bethany Christian Service”, janë takuar individualisht me përfaqësuesit e partive politike të komuniteteve egjiptianë, ashkali dhe romë, përkatësisht me z. Fridon Lala – Anëtar i Parlamentit nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Z. Qazim Rrahmani dhe ekipi i tij nga Partia e Ashkalive për Integrim dhe Z. Erxhan Galushi – Anëtar i Parlamentit nga Lëvizja Përprimtare e Romëve të Kosovës me ekipin e tij.

Përfaqësuesit e lartë-përmendur të shoqërisë civile prezantuan përmbajtjen e letrës drejtuar z. Kurti dhe nevojën për të punuar drejt një propozimi legjislativ dhe një dokumenti strategjik për: barazinë, përfshirjen dhe pjesëmarrjen e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve, përfshirë këtu edhe luftimin e antigjipizmit.

Përfaqësuesit e partive politike ranë dakord që sfidat me të cilat përballen romët, ashkalitë dhe egjiptianët duhet të adresohen në mënyrë adekuate dhe sistematike; dhe të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces duhet të angazhohen në përputhje me natyrën e përgjegjësive dhe punës së tyre.

Përfaqësuesit politikë u zotuan se duke përdorur fuqinë e tyre politike do të avokojnë për të zgjidhur të gjitha çështjet me interes për elektoratin e tyre duke bashkëpunuar ngushtë edhe me shoqërinë civile.